Zbardhen detaje nga vizita e Cameron në Tiranë

TIRANË, 19 maj/ATSH/- Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka publikuar detaje nga vizita e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron më 22 maj në Tiranë.
Ambasada bën me dije se “si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit”.
Njoftohet se “Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit”.
“Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.