Zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes së Vladimir Brucit

Një pretendim se disa kamera sigurie ishin drejtuar nga biznesi i autorit të plagosjes dje në Shkodër ka qenë shkak i nisjes së një konflikti që përfundoi ne përdorimin e armës së zjarrit. Pjetin Bitani kishte ngritur shqetësimin se fqinji i tij Vladimir Bruci, i cili ka në pronësi një parkim po e vëzhgonte përmes disa kamerave të sigurisë, të cilët ishin vendosur në një shtyllë. Nga autori i ngjarës është kërkuar heqja e tyre gjë që është kundërshtuar nga Vladimir Bruci.
Konflikti për disa kamera sigurie, të cilat ishin vendosur në parkimin e Vladimir Brucit u bënë shkak i sherrit të nisur me fqinjin e tij Pjerin Bitani, që përfundoi në shkrepjen e armës së zjarrit duke lënë të plagosur Brucin që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Rus”, ku parkimi i të plagosurit ndodhet ngjitur me lokalin e autorit e ndërsa ku i fundit kishte shprehur shqetësim se pse kamerat ishin drejtuar nga lokali dhe jo nga parkimi.
Mësohet se Bitani dhe Bruci po konfliktoheshin në cepin e rrugës, e ndërsa sipas deklarimeve të dhëna në polici pretendohet nga Pjerin Bitani se Vladimir Bruci e ka ofenduar në sy të familjarëve që ndodheshin në lokal.
Ky është momenti ku 70-vjeçari qëlloi disa herë në drejtim të Vladimir Brucit duke e lënë të plagosur, si dhe duke dëmtuar një makinë që ndodhej e parkuar në anë të rrugës.
Pas ngjarjes Bitani u largua bashkë me armën e zjarrit jo shumë larg vendit të ngjarjes, ndërsa negociatat me familjarët bënë të mundur vetëdorëzimin e tij në polici.
Pavarësisht disa kontrolleve policia ende nuk ka gjetur armën e krimit të përdoruar nga Pjerin Bitani, pasi edhe ky i fundit tregon se e ka hedhur në rrugë, por pa treguar vendndodhje të saktë.
Ndërkohë, policia e Shkodrës këtë të premte ka urdhëruar për të hequr kamerat e sigurisë të vendosura në parkimin e Vladimir Brucit dhe sekuestrimin e tyre.
Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi disa vite më parë u përfshi në një sherr poshtë banesës së tij me disa persona që aktualisht ndodhen në burg.