Zbardhet sulmi ndaj avokatit Mëngjesi, Vocaj: U godit për shkak të detyrës, arrestohet organizatori

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka identifikuar 4 autorët e sulmit me levë ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur sot rreth orës 8:50 minuta në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.
Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një komunikim për mediet, bëri të ditur se është arrestuar Dritan Nano si organizator dhe është vetëdorëzuar Dorian Aliaj.
“Nga veprimet rezulton se Sokol Mëngjesi me profesion avokat është goditur për shkak të detyrës. Avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces gjyqësor një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë. Procesi është fituar nga pala që mbronte avokati, por ish-klientët nuk kanë pranuar që ta paguajnë. Pala fituese pra, nuk ka respektuar detyrimet kontraktore që ka pasur me studion ligjore. Jo e gjithë pala, por disa nga kontraktorët”, saktësoi Vocaj.
“Lidhja mes autorëve nuk është pagesa, por janë krushqi. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano, i cili u ndalua si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale’- tha Vocaj.
“Autorët janë takuar 1 muaj para se të ndodhte ngjarja. Siç ju e dini, e gjithë policia e Tiranës, në bazë të një plani të posaçëm i ka të organizuara shërbimet policore, edhe në zonën ish bllokut kemi një prezencë më të shtuar të patrullave. Patrulla jonë nuk ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, policia është vënë në dijeni nga telefonatat e shumta të bëra. Jemi duke u marrë në pyetje, nuk japim shumë detaje për shkak të sekretit hetimor. Policia do marri masa sipas procedurave ligjore”, tha Vocaj.
Mësohet se autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit Mëngjesi janë Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija, dhe Dorian Alia. Vocaj tha se autorët e sulmit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërsa Romario Tabaku, i ka transportuar me makinë.
“Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të detyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”. Po në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciativë i dyshurar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, theksoi Vocaj.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publik”, mbetur në tentativë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, foto: Florian Abazaj 1 nga 2