Zbulimi në Funar! Bima e egër shqiptare që lufton qelizat e kancerit

Në një zonë të Elbasanit, mes bimësisë së egër të Funarit, fshihet një bimë që po tërheq vëmendjen e studiuesve për potencialin e saj të jashtëzakonshëm. Quhet Astragalus spruneri dhe është pjesë e një kërkimi shkencor që mund të hapë horizonte të reja në studimin e trajtimeve kundër kancerit të gjirit.
Bima e egër, e pranishme në Evropën Juglindore dhe Turqi, është studiuar nga një ekip kërkimor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në bashkëpunim me Newcastle University në Britaninë e Madhe. Studimi, i udhëhequr nga profesoret Edlira Pajenga dhe Majlinda Lako, synon të zbulojë potencialin e përbërësve natyrorë në luftën kundër qelizave kancerogjene.
Gjithçka nisi me mbledhjen e bimës në zonën e Funarit, në një lartësi prej 729 metrash mbi nivelin e detit. Pas identifikimit botanik dhe ruajtjes së një ekzemplari referues në herbariumin e departamentit, studiuesit iu drejtuan analizave laboratorike për të zbuluar përbërjen kimike dhe efektet biologjike të saj.
Rezultatet sollën një gjetje premtuese: ekstraktet e Astragalus spruneri treguan aktivitet kundër qelizave të kancerit të gjirit të njeriut, të njohura si MCF-7. Ndër ekstraktet e testuara, ai i përftuar nga gjethet duke përdorur etanol rezultoi veçanërisht efektiv, duke shkaktuar rritje të vdekjes së qelizave kancerogjene në varësi të kohës dhe përqendrimit. Për të ndjekur reagimin e qelizave, ekipi përdori teknologjinë moderne Incucyte® Live Cell Analysis, e cila mundëson monitorimin e tyre në kohë reale.
Analizat e mëtejshme, përmes metodës Western blot, evidentuan gjithashtu ndryshime në shprehjen e proteinës PUMA, e përfshirë në proceset që nxisin vdekjen e programuar të qelizave.
Këto rezultate e vendosin bimën e egër shqiptare në qendër të një kërkimi me interes për zhvillimin e mundshëm të përbërësve të rinj antikancerogjenë.
Por sa larg është shkenca nga shndërrimi i një zbulimi laboratorik në një trajtim për pacientët?
Kanceri i gjirit mbetet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në botë, me miliona raste të reja çdo vit, ndërsa kërkimi për molekula të reja dhe trajtime më efektive vijon pa ndërprerje.
Pikërisht për këtë arsye, studimi i bimëve dhe i përbërjeve të tyre bioaktive përfaqëson një fushë me rëndësi në kërkimin farmaceutik. Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet laboratorike nuk nënkuptojnë se bima mund të përdoret si kurë kundër kancerit.
Nevojiten studime të mëtejshme për të identifikuar përbërësit përgjegjës për efektin, për të vlerësuar sigurinë e tyre dhe për të përcaktuar nëse këto rezultate mund të konfirmohen te njerëzit. Një bimë e egër e zbuluar në Funar mund të mbajë, pra, çelësin e një piste të re kërkimore, por rruga nga laboratori te një trajtim i sigurt dhe efektiv është ende e gjatë.
Për profesoreshë Edlira Pajenga, ky është një hap i rëndësishëm në eksplorimin e potencialit të natyrës shqiptare dhe një arsye më shumë për të mos ndalur kërkimet shkencore.