Zbulohet laborator për falsifikim diplomash në Tiranë, në pranga 51-vjeçari

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se ka zbuluar një ambient të përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licensave profesionale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Laboratori”, policia vuri në pranga shtetasin A. T., 51 vjeç.
“Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licensave profesionale”, njoftoi policia.
Gjithashtu u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/r.e/