E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet sekreti i pyetjeve të maturës

MASH publikon Shpjeguesin e Programit të Orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore 2010

Shpjeguesi i programit të orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore 2010 tashmë pritet që të përfundojë në duar të maturantëve, të cilët po përgatiten jo vetëm për përmbylljen e katër viteve të shkollës së mesme, por edhe për kandidimin në garën për në universitetet publike në vend.

Dje, në Ministrinë e Arsimit u prezantua publikisht ky shpjegues, që ndryshe mund të konsiderohet edhe si zbulimi i “sekretit” të pyetjeve që do të bien në ditët e dy provimeve të detyruara të Letërsisë dhe të Matematikës. Sipas drejtuesve të MASH-it, synohet dhënia e ndihmës për të gjithë maturantët për t’u përgatitur sa më mirë për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore.

Ky shpjegues është i vlefshëm për lëndët Letërsi e Gjuhë Shqipe, si dhe Matematikë, për të cilat brenda qershorit maturantët do të testohen në nivelin e mësimnxënies së katër viteve.

“Ky shpjegues shërben për t’i orientuar sa më mirë të gjithë maturantët të cilëve u adresohet direkt në përgatitjen e tyre për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ai shërben gjithashtu për të gjithë mësuesit në organizimin e konsultimeve dhe përgatitjeve për këto provime, por dhe për prindërit dhe opinionin publik”, u shprehën përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.
Shpjeguesi mbështetet mbi programin e orientuar të publikuar më parë dhe gjendet në web-site e MASH-it me adresë www.mash.gov.al.

Ai përmban një fond të gjerë pyetjesh, sipas niveleve të ndryshme të vështirësisë dhe për të gjitha profilet e llojet e shkollave të mesme. Mbi këtë bazë do të formulohen edhe pyetjet e testeve të Maturës Shtetërore.

Lënda shpjeguese është përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) dhe është konsultuar me specialistë dhe mësues të lëndëve të Letërsisë, Gjuhës Shqipe dhe Matematikës.

Fondi i pyetjeve që do të bien në tezat finale për maturantët përgatitet nga një grup mësuesish që përzgjidhen nga strukturat e posaçme të MASH-it, të ngritura posaçërisht për të menaxhuar maturën shtetërore. çdo mësues i përzgjedhur dorëzon një grup me pyetje, të cilat në fund seleksionohen nga një komision që ngrihet vetëm për këtë qëllim.

Programet e lëndëve që janë dërguar që më parë në shkollat e mesme dhe të rinjtë e interesuar edhe përmes konsultimeve me mësuesit e lëndës kanë mundur që t’i fokusojnë përpjekjet për një studim më të thelluar dhe për të mos shpenzuar kohë me pyetje që nuk janë pjesë e këtij programi. Megjithatë, programi i pyetjeve të maturës sipas vetë mësuesve të shkollave të mesme është mjaft i gjerë dhe kërkon një përgatitje të vazhdueshme ndër vite të nxënësve. Ata pohojnë se është e vështirë për një nxënës që nuk ka qenë sistematik në mësime për të katër vitet e gjimnazit, që ta përtypë të gjithë programin e pyetjeve në një kohë të shkurtër, të barabartë me një semestër.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›