E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet trung peme 8 m në kolektorin e ujërave të zeza në Kashar, Rama: Kujtesë pse vendit i duhej Reforma Territoriale

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Një trung peme rreth 8 metra i gjatë është zbuluar brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në bulevardin e Kasharit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se kjo problematikë kishte shkaktuar prej më shumë se një dekade përmbytje dhe daljen e ujërave të zeza në rrugë, sa herë kishte reshje.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se shkaku i bllokimeve të vazhdueshme u evidentua përmes kamerave speciale nëntokësore, të cilat zbuluan një trung peme të shtrirë brenda tubacionit kryesor.

“Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit”, tha ai.

Rama nënvizoi se “kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza. Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit”, vijoi ai.

“Se çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale”, tha Rama.

Rama theksoi se trungu tashmë është nxjerrë dhe kolektori është çliruar, duke u dhënë fund, sipas tij, një problematike që kishte prekur banorët e Kasharit për më shumë se dhjetë vjet.

Kreu i Qeverisë e lidh këtë ndërhyrje edhe me nevojën për adresimin e problematikave të trashëguara në infrastrukturën vendore, duke e paraqitur rastin si shembull të evidentimit dhe korrigjimit të defekteve të mbetura ndër vite.

“Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën”, u shpreh Rama.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›