Zbulohet zyrtarisht mashtrimi me të përndjekurit: Vetëm gjysma kanë marrë këstin e parë
Ministri i Financave, Ridvan Bode, pranoi zyrtarisht në Komisionin e Ekonomisë se ish- të përpjekurit dhe burgosurit politik nuk janë kompensuar ende me këstin e parë. Vetëm gjysma e tyre, sipas shifrës zyrtare të ministrit Bode, ka marrë këstin e parë. Sipas raportit zyrtar, paraqitur në Komisionin e Ekonomisë, qeveria ka paguar vetëm 50% të 20.856 te përndjekurve për këstin e parë, pra gjithsej rreth 10.400 vetë dhe vetëm 7 për qind e të privilegjuarve të qeverisë Berisha nga klasa e të përndjekurve kanë marrë këstin e dytë.
Sipas ministrit Bode duhen dhe dy mandate që të shlyhen faturat e tyre, ndërsa me këto ritme, sipas llogarive që bën deputeti socialist Erion Braçe, duhen 23 vite.
Një tjetër debat në komision të Ekonomisë ishte dhe për detyrimet ndaj invalidëve para e tetraplegjikvë, të verbërve, të cilët përkundër angazhimit të Sali Berishes dhe vetë ministrit Bode, përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, u janë ulur pagesat për energji, transport dhe telefoni nga 6 deri në 14 herë!
Po ashtu ish- ushtaraket janë kthyer në shënjestrën kryesore ideologjike të Sali Berishës, kur përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nxori një ligj, nxori një akt normativ, në fund nxori një VKM që bien ndesh me ligjin, i cili vetë bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ul në nivelin e pensionit minimal të gjithë ish- ushtarakët.
Debati në Komisionin e Ekonomisë me ministrin Bode, kërkuar nga deputetët e opozitës, duket se nxori në pah dhe probleme të tjera të rënda të borxhit të brendshëm që qeveria ka ndaj qytetarëve, institucioneve dhe palëve të treta, çka e kalon disa here kufirin e këtij borxhi në raport me GDP.
