Zë fill më 1911

Kuader nga dokumentari "SuperBallkan" i regjisorit Fatmir Koçi
Elsa Demo
Shkatërrimet e shkaktuara nga lufta në fshatrat pranë Shkodrës dhe vuajtja e njerëzve
që përpiqen të gjejnë një arsye bindëse për mjerimin e tyre. Disa zona ishin aq të mëdha, saqë mu deshën tri ditë për ti vizituar dhe më pas, për tu kthyer në Shkodër, duke bërë dhjetë ose dymbëdhjetë orë udhëtim me kalë në ditë. Pranë Shkodrës vizitova gjithsej 1022 shtëpi të djegura. Gjëja që të vinte më shumë keq ishte se pak nga këto viktima të dëshpëruara e kishin idenë se përse kjo fatkeqësi kishte rënë mbi ta. Gra, me fëmijët që po u vdisnin urie, pyesnin: Përse Mbretërit e Mëdhenj i lejuan ushtarët të vinin të na grabitnin dhe të na vritnin? Ne nuk po bënim asgjë të keqe, ndërsa ata na morën dhentë dhe dhitë çdo gjë, çdo gjë… Dhe kur im shoq u përpoq që të ruante bagëtitë, ata e qëlluan. Shtëpinë na e dogjën. Po vdesim urie, në rrugë të madhe.
Përshkrimi i Meri Edit Durhamit Lufta për Shkodrën, bazohet në ngjarje ku ajo është dëshmitare e dorës së parë përpara, gjatë dhe pas Luftërave Ballkanike. Ky përshkrim lidhet me një hamendje tonën për çfarë mund të ofrojnë 2 minuta filmime nga rrethinat e Shkodrës në vitin 1911. Është viti i rigjallërimit të lëvizjes kombëtare shqiptare. Qyteti është përfshirë nga kryengritja shqiptare. Ngjarje të mëdha pasuan më 1912: rrethimi nga ushtria malazeze dhe marrja e kalasë së Shkodrës, përkojnë me gjendjen e jashtëzakonshme për Turqinë e vjetër dhe vendet e Ballkanit, kushte në të cilat, disa muaj më vonë Shqipëria u bë e pavarur.
Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Elvira Diamanti bën të ditur për Shekullin se ky material që shfaqet për herë të parë, i gjetur në arkivat e Malit të Zi e që prej vitesh është pjesë e fondit të materialeve historike të AQSHF-së, hap montazhin filmik 1911-2000. Specialistët e AQSHF-së kanë kompozuar një histori filmike me ngjarjet më të rëndësishme historike në 100 vjet shtet shqiptar. Kjo bëhet me rastin e 65-vjetorit të Arkivit Shqiptar të Filmit që organizohet më 15 maj, ora 12.00 në AQSHF. Nuk habit askënd siguria e Diamantit për mungesën e filmimeve të posaçme për pavarësinë, ngjarje që mbulohet në këtë montazh përmes fotografive.
Në rend kronologjik, ngjarje është shpallja e Shqipërisë principatë e pavarur sovrane dhe zgjedhja për sundimtar e princ Vilhelm Vidit, një kapiten ushtarak gjerman 35-vjeçar. Sundimtar për gjashtë muaj. Sekuenca që është përdorur dendur për ardhjen e Princ Vidit, ajo do të jetë në këtë kompozim. Drejtoresha Diamanti thotë se gjendja e materialeve filmike të këtyre viteve është e kënaqshme, sepse jemi ende në epokën pioniere të teknikës së kinemasë. Nga imazhet për jetën në Shqipërinë e viteve 1920-30, mbresa e Diamantit është e fortë: Tirana, Durrësi, Berati, Vlora, shfaqen me gjithë prapambetjen e thellë e të gjithanshme ku nuk duket ende prania e shtetit.
Dhjetëvjeçari i monarkisë, është një prelud i ndërtimit të vendit, i influencës së huaj në infrastrukturë, i komunikimit të qyteteve me qendrën, i një ere urbanizimi, i kultivimit të simboleve të reja të shtetit po aq edhe të traditës. Parada e festimeve në Tiranë për 25-vjetorin e pavarësisë është zgjedhur për kolazhin filmik të historisë së Shqipërisë. Organizimet qeveritare të vitit 1937 për këtë përvjetor mbeten të papërsëritshme, dhe një model të cilit mbase do duhej ti referohej edhe komisioni i festimeve të sotme qeveritare.
Pushtimi fashist? Diamanti heziton pak. Në fondet tona, për fat të keq ruhet vetëm ajo anë e historisë që tregon pushtuesi. Pra pritja e pushtuesit me buqeta me lule dhe banderola mirëseardhjeje. Nuk shohim rezistencë popullore, nuk është ajo histori që kemi mësuar në tekstet e shkollave. Qeveritë kolaboracioniste, Balli Kombëtar që pret pushtuesin gjerman, janë gjithashtu dëshmitë që shfaqim për këtë kohë të Luftës së dytë botërore. Drejtoresha e AQSHF-së përmend si materiale të pashfaqura më parë zbarkimin e anglezëve në Shqipëri në vitin 1943, apo përvjetorin me dytë të Çlirimit të vendit. Edhe këto xhirime nga operatorë të huaj. Çfarë vjen më pas, rindërtimi pas Çlirimit, zhvillimi i bujqësisë, industrisë, puna vullnetare, miqësia me Bashkimin Sovjetik dhe influenca e tij në jetën shqiptare, miqësia me Kinën dhe ndikimi kinez me të menduarit dhe të jetuarit si revolucionar – gjimnastika e mëngjesit, fletërrufetë si element për një shoqëri të shëndoshë ideologjikisht, tregues të izolimit të skajshëm që kulmojnë me histerinë popullore në mortin e Enver Hoxhës.
A mund të quhet ky lloj burimi arkivor mënyrë e njëanshme e të treguarit të historisë? A mund të jetë e tillë dygjuhësia e mrekullueshme që një film bardhezi i epokës 1945-1990 i përcjell epokës së sotme? Ne smarrim përsipër të bëjmë historinë, thotë Diamanti, as pretendojmë të bëjmë komente.
Nëse ka gjë që duhet të bëjë AQSHF, ky është pasurimi fondeve me blerje nga arkivat e huaja. Nga një sondazh që bëmë vitin e shkuar në arkivat e Moskës, për periudhën e rindërtimit të vendit, kemi pothuajse të njëjtat materiale. Por me interes do të ishte kërkimi në arkivat e Beogradit, thotë Diamanti.
Pasurimi i fondeve është thembra e Akilit për institucionet tona të kujtesës, sepse lidhet drejtpërdrejt me paratë. Për periudha të vona, 1990-2000 pasurimi mund të zgjidhet me shkëmbimin e materialeve me televizionet. Ky është një stad tjetër për fondet e arkivave filmike.
AQSHF e prezanton dhjetëvjeçarin e parë të tranzicionit me filmime të operatorëve profesionistë dhe producentëve privatë. Për shembull Xhezair Dafa, operator i Partisë Demokratike ka ndihmuar me materiale të orëve të para të ndryshime demokratike. Saimir Kumbaro e Agim Buxheli kanë dhënë xhirime nga viti 1997, nga pritja e 1 milion refugjatëve kosovarë, që është ngjarja me gjurmë të thella në historinë shqiptare në të dalë të shekullit.
Janë kaq interesante materialet që po zgjedhim. Së fundi, duke i parë e riparë, kam një impresion. Nga materialet e viteve 1930 ku sheh gra të kalojnë rrugën mbuluar me ferexhe, ku sheh një varfëri dhe prapambetje ekstreme, e duke ardhur në ditët sotme, më vjen të them që ndryshimi është jashtëzakonshëm, kjo më shtyn të mendoj për vitalitetin e këtij populli dhe të pohoj se nuk ka vend për shumë pesimizëm mes nesh.
Këtë e thotë drejtoresha e një institucioni që ka nevojë për shumë ndihmë. Prandaj ceremonia e 65-vjetorit, ku i bëhet homazh edhe punës së paraardhësve, do të shërbejë si takim sensibilizues për publikun, bashkëpunëtorët dhe vendimmarrësit për rëndësinë e paçmueshme që ka AQSHF si institucion dhe të drejtojë vëmendjen e tyre tek gjendja e vështirë në të cilën ndodhemi aktualisht, që të mos i vdesë projektet dhe ambiciet në nevojat më të domosdoshme: drita, ujë, roje.
Janë ftuar ministri i Kulturës Aldo Bumçi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ambasadorë dhe diplomatë. Por atyre bashkë me festën iu prezantohen dhe hallet e AQSHF-së, nevojat urgjente në përmirësimin e kushteve ku ruhet trashëgimia, që nga drenazhimi i themeleve te gjetja e formave për ta bërë prezente pasurinë filmike ndër të rinj, në qytete e qendra universitare.
Arkivi i pavarur
Në prill 1947 në bazë të vendimit 160 të Këshillit Ministerjal, me dekret Nr. 314 të Ligjit Nr. 422 Mbi shtetëzimin e kinemave, krijohet Ndërmarrja Kinematografike Shqiptare, fillimisht si një magazinë ruajtjeje për filmat e grumbulluara nga shtetëzimi i kinemave private. Pikërisht kjo datë është edhe themelimi i Arkivit të Filmit sepse i gjithë fondi që ky arkiv ka trashëguar d