E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zef Kola nuk i duhej askujt

Ky ishte mendimi im i parë kur mësova lajmin e një plagosjeje të rëndë të ndodhur në një fshat të thellë të Mirditës.
Zef Kola, baba i tre fëmijëve, disa muaj më parë mbërriti pa zbardhur dita mirë, përpara dyerve të Ambasadës Amerikane për të kërkuar ndihmë, ndihmë nga ambasadori amerikan që t’i mundësonte atij një takim me kryeministrin. Këtij të fundit Kola donte t’i drejtonte një lutje, t’i kërkonte një ndihmë, një nder: Ta ndihmonte të mos shkonte drejt krimit pavarësisht se krim ndaj tij dhe familjes së tij kishte ndodhur. Kola donte t’i kërkonte që mosmarrëveshjen e lindur prej disa vitesh me familjen Tuci shteti ta ndihmonte ta zgjidhnin. Donte të siguronte jetën e familjarëve të tij që kur të shkonte në Mal të Zi për t’u siguruar atyre bukën e gojës, të mos kishte frikë se dikush mund t’i dhunonte gruan apo vajzat.
Por këtë kërkesë, këtë lutje, këtë alarm SOS, që dërgoi Zef Kola, nuk e dëgjoi askush. Të gjithë ishin të zënë me diskutimet për presidentin, me akuzat bajate të politikanëve për njëri-tjetrin.
Ajo që e vuri policinë, shtetin dhe median në lëvizje ishte fakti që dikush kishte trokitur rreth orës 4:00 të mëngjesit në dyert e ambasadës jo për azil politik, por për t’i kërkuar ndihmë njeriut të vetëm në vend ku ka mbetur për të shpresuar, që ky burrë i mirë amerikan ta ndihmonte të takonte kryeministrin. Në fakt takimi dështoi pasi ai u prangos para se të trokiste.
Policia, pasi e mbajti në komisariat për disa orë, pas premtimit se Zef Kola dhe familja e tij do takoheshin jo me kryeministrin por me këshilltarin e tij, nxitoi të deklaronte se kishte arrestuar dy agresorët e bashkëshortes dhe vajzës së të dëmtuarit. Këta agresore vetëm pak ditë më vonë u lanë të lirë duke lënë sërish të hapur konfliktin mes familjeve. Policia u nxitua për të mbuluar thëngjillin me kashtë dhe për të thënë se asgjë nuk kishte ndodhur, për të krijuar përshtypjen se Zefi po fliste pa vetëdije dhe e kishte hiperbolizuar ngjarjen. Ndoshta e gjithë kjo gjë u bë për ta larguar ngjarjen jashtë vëmendjes së publikut dhe për ta strukur sërish familjen Kola në fshatin e thellë të Mirditës.
Alarmin SOS Zef Kola e lëshoi dhe në media, ku deklaroi se i kërkonte shtetit që t’i zgjidhte konfliktin me familjen Tuci pasi ata po i cenonin pronën, familjen dhe jetën. Duke dalë nga zakoni i malësorit ai i tregoi opinionit plagët në trupin e dy femrave të familjes së tij.
Por ndodhi ajo që pritej, kronika e një ngjarjeje të paralajmëruar. Zef Kola, disa muaj pas mbërritjes në dyert e Ambasadës Amerikane, plagosi me armë zjarri Dedë Tucin, personin që sipas tij kishte shqetësuar, dhunuar e cenuar me pa të drejtë familjen e tij.
Nuk dua të gjykoj negativisht apo pozitivisht asnjërën palë të përfshirë. Dua të them se pavarësisht se cili do të ketë qenë shkaku i konfliktit fillestar, denoncimi për vjedhje që Zefi kishte bërë në polici ndaj Dedës apo konflikti pronësor për zabelet e djegura apo prerja e drurëve në një tokë që e pretendonin të dyja palët, kjo ngjarje nuk duhet të kishte arritur deri këtu. Nuk do të kishte pasur të plagosur nëse autoriteti i shtetit, drejtësia, apo kushdo që kishte në dorë diçka, do të ndihmonte dhe të parandalonte një krim duke pajtuar të dyja palët në konflikt.
Duke shmangur kështu plagosjen e Dedë Tucit, duke shmangur burgosjen e Zef Kolës, do të ishte shmangur edhe kërkesa për bukë dhe ndihmë ekonomike që të dyja familjet do të lëshojnë, pasi kryefamiljarët e tyre nuk kanë më mundësi të punojnë.
Nuk dua të fajësoj as inspektorin e zonës, apo policinë e qarkut, megjithëse ata faj kanë për mosparandalimin e kësaj ngjarjeje, por karburanti i përgjysmuar, orët shtesë të papaguara i bëjnë të justifikohen për mosndërhyrjen dhe zgjidhjen e situatës.
E pra… Zefi apo Deda nuk i interesonin askujt. Na falni zotërinj të periferisë së këtij kryeqyteti, ne jemi të zënë, ne nuk kemi kohë për ju, nuk na duheni ju në këto momente pasi po merremi me sherrin mes kryeministrit dhe kreut të opozitës, e shumë e shumë gjëra të tjera të cilat gjatë kësaj kohe kanë prodhuar rezultate shterpë dhe nuk i kanë hyrë askujt në punë.
* Autori është gazetar në televizionin “NEWS 24”

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›