E Diel, 1 Nëntor 2026

Zelensky: Deri në 50 mijë koreano-veriorë mund të vendosen në Rusi, mund të ketë pasoja përtej luftës në Ukrainë

Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se deri në 50 mijë koreano-veriorë mund të vendosen në territorin rus. Në një postim në X, Zelensky deklaroi se prania e trupave koreano-veriore në Rusi është rritur gradualisht, nga “qindra” fillimisht në “mijëra”. Sipas tij, tashmë është marrë një vendim për vendosjen e 30 mijë deri në 50 mijë koreano-veriorëve në territorin rus.

Zelensky e lidhi këtë zhvillim me bashkëpunimin më të gjerë ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut, duke paralajmëruar se Pheniani po “studion këtë luftë” dhe po fiton përvojë në kushtet moderne të luftimit.

Presidenti ukrainas argumentoi se kjo përvojë mund të ketë pasoja përtej luftës në Ukrainë. Sipas tij, në rast të një krize të re apo përshkallëzimi në rajonin e Paqësorit, që mund të kërcënojë vende të tjera aziatike, Koreja e Veriut do të kishte në dispozicion përvojën ushtarake të fituar përmes bashkëpunimit me Rusinë.

Zelensky iu referua gjithashtu përdorimit të armëve të Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë. Ai tha se autoritetet ukrainase kanë identifikuar raketa të prodhuara nga Koreja e Veriut dhe e cilësoi praninë e tyre si një “fakt të vërtetuar”.

Sipas Zelensky-t, bashkëpunimi mes Moskës dhe Phenianit pritet të vazhdojë dhe të zgjerohet. Ai argumentoi se Koreja e Veriut do të vijojë të fitojë përvojë në luftën moderne, ndërsa merr pajisje dhe licenca ushtarake nga Rusia.

Në të njëjtin kontekst, Zelensky bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes Koresë së Jugut dhe Ukrainës, duke theksuar nevojën për të kundërshtuar forcimin e aftësive ushtarake të Koresë së Veriut.

“Do të donim shumë të merrnim mbështetje nga Koreja e Jugut në një fushë ku kemi mangësi”, tha ai, duke identifikuar sistemet e mbrojtjes ajrore si një nga nevojat kryesore të Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas deklaroi se Kievi është i gatshëm të bashkëpunojë me Seulin edhe në fusha të tjera, përfshirë marrëveshjet për dronët.

Zelensky pranoi se Koreja e Jugut përballet me kufizime ligjore, që rrjedhin nga Kushtetuta e saj, në lidhje me ofrimin e ndihmës ushtarake. Megjithatë, ai theksoi se Kievi synon të forcojë bashkëpunimin me Seulin.

“Ne do të donim ta kishim këtë bashkëpunim dhe po mbështetemi në të”, tha Zelensky, duke shtuar se kontaktet diplomatike mes dy vendeve tashmë janë duke u zhvilluar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›