Zelensky emëron ministrin e ri të Mbrojtjes, pasuesi i Fedorovit

Ukraina u përfshi nga protesta masive kundër largimit të ministrit të Mbrojtjes Mykhailo Fedorov, i cili u emërua në atë detyrë vetëm gjashtë muaj më parë për të digjitalizuar dhe modernizuar ushtrinë ukrainase të lodhur pas katër vitesh luftë ndaj Rusisë.
Pas largimit të Fedorovit, Zelensky njoftoi se në vend të tij kishte emëruar Jevhenij Khmara, kreun e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, si ministër në detyrë të Mbrojtjes.
“Khmara ka fituar përvojë të gjerë dhe, në shumë aspekte, të paprecedentë me operacionet luftarake teknologjike,” – u shpreh Zelensky.
Pasi u detyrua të jepte dorëheqjen, Fedorov akuzoi shefin e ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrsky se ishte përpjekur të përçante vendin, ndërsa pretendoi se ai kishte projektuar largimin e tij përmes një ultimatumi lëshuar Zelenskyt pas muajsh përplasjesh për reformën ushtarake.
“Në vend që të gjente mënyra se si të mposhtte Rusinë në mënyrë asimetrike, që është detyra e komandantit të përgjithshëm, Syrsky gjeti mënyrën se si të përçante vendin ku jetojmë të gjithë sot,” – theksoi Fedorov gjatë një konference për shtyp.
Pas këtyre deklaratave, Zelensky siguroi se ish-ministri i Mbrojtjes do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit të tij. “Fedorov do të mbetet në ekipin tim, por roli i saktë që do të ketë do të bëhet i ditur më vonë,” – u shpreh presidenti ukrainas, duke bërë thirrje për unitet.
/rtsh.al/