E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky kërkoi të blinte 10 sisteme të raketave Patriot, Trump hedh poshtë kërkesën e liderit ukrainas

Presidenti i SHBA Donald Trump ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, ndërsa e ka akuzuar atë se “kërkon gjithmonë të blejë raketa” ndërsa fajësoi Kievin për nxitjen e luftës me Rusinë.

“Ju nuk filloni një luftë kundër dikujt 20 herë më i madh se ju dhe më pas shpresoni që njerëzit t’ju japin disa raketa”, tha Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Qëndrimi i Donald Trump vjen pas komenteve të Zelenskyt në CBS News, në të cilën ai ofroi të blinte 10 sisteme Patriot të prodhuara nga SHBA – me vlerë 1.5 miliardë dollarë secila – për të mbrojtur qytetet ukrainase nga sulmet e pamëshirshme të dronëve dhe raketave ruse.

“Ne do të gjejmë paratë dhe do të paguajmë për gjithçka”, tha Zelensky duke theksuar se Ukraina është e përgatitur të blejë, jo të kërkojë falas, paketën prej 15 miliardë dollarësh.

Kievi u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve perëndimorë të zgjerojnë ndihmën e mbrojtjes ajrore, duke paralajmëruar se sistemet ekzistuese janë të pamjaftueshme në mes të fushatës ajrore në rritje të Rusisë, e cila së fundmi vrau 35 civilë më 13 prill.

Trump nuk ka dërguar asnjë paketë të re ndihme për Ukrainën dhe madje ka ndërprerë shkurtimisht ndihmën ushtarake të miratuar nga administrata Biden muajin e kaluar për të bërë presion mbi Kievin që të pranojë një marrëveshje mineralesh.

Gjithashtu, presidenti amerikan shprehu dyshime për udhëheqjen e Zelenskyt dhe sipas tij, lufta ishte shkaktuar nga presidenti ukrainas.

“Miliona njerëz vdiqën për shkak të tre personave”, tha Trump, duke përmendur presidentin rus Vladimir Putin, ish-presidentin e SHBA Joe Biden dhe Zelensky.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›