Zelensky pret kryeministrin e Kanadasë, diskutohen sanksionet ndaj Rusisë dhe garancitë e sigurisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, priti sot kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në një takim të rëndësishëm në Kiev.
Gjatë vizitës, u nënshkruan dokumente kyçe, përfshirë një plan veprimi për zbatimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin e Sigurisë, një marrëveshje për ndihmën e ndërsjellë doganore dhe një marrëveshje për prodhimin e dronëve.
Zelensky theksoi rëndësinë e diskutimeve për prodhimin e përbashkët të dronëve, garancitë e sigurisë, bashkëpunimin energjetik, sanksionet kundër Rusisë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
“Ne besojmë se Kanadaja duhet të jetë në të njëjtin nivel me partnerët tanë më të afërt evropianë për garancitë e sigurisë,” u shpreh ai.
Një pikë kulmore e takimit ishte angazhimi i Kanadasë për t’u bashkuar me programin PURL të NATO-s, i cili mundëson blerjen e armëve nga SHBA për Ukrainën.
“Kanadaja konfirmoi 500 milionë dollarë shtesë për këtë program,” tha Zelensky, duke shtuar se fondi aktual i PURL është 1.5 miliardë dollarë.
Në fushën e energjisë, Zelensky propozoi bashkëpunim për projekte të mëdha energjetike, duke vënë në dukje se infrastruktura portuale dhe kapacitetet e ruajtjes së Ukrainës mund të shërbejnë për të furnizuar gazin kanadez në Evropë. “Kjo është e rëndësishme për stabilitetin e Ukrainës dhe gjithë Evropës,” shtoi ai.
Për sanksionet, Zelensky njoftoi se Kanada do të sinkronizojë së shpejti sanksionet e saj me ato të Ukrainës, duke ndjekur një vendim të fundit të Ukrainës për të harmonizuar sanksionet kanadeze. “Kanada shpesh është e para që vendos sanksione, dhe tani po përgatisim një nivel të ri të kësaj pune,” tha ai. Një temë tjetër e rëndësishme ishte kthimi i fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Zelensky falënderoi Kanadanë për rolin e saj aktiv në koalicionin global me 41 vende për kthimin e këtyre fëmijëve, si dhe të të burgosurve ushtarakë dhe civilë.
Vizita e Carney-t, e cila përkoi me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, shënon udhëtimin e tij të parë në Ukrainë si kryeministër i Kanadasë.
/rtsh.al/