E Diel, 1 Nëntor 2026

Zelensky vendos sanksione ndaj presidentit të Bjellorusisë, Lukashenko

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur sanksione ndaj udhëheqësit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës (NSDC), të kryesuar nga Rustem Umerov, dhe u zyrtarizua me një dekret presidencial të publikuar në faqen zyrtare të presidentit.

Sanksionet përfshijnë 17 kufizime, si ngrirje e aseteve, ndalimi i udhëtimeve, pezullim i tregtisë, ndalim i transaksioneve financiare dhe ndalim i transferimeve të teknologjisë.

Sipas Zelensky-t në kanalin e tij në Telegram, këto masa janë për shkak se Lukashenko po “lehtëson vrasjen e ukrainasve”.

Ai theksoi se në gjysmën e dytë të 2025-ës, Rusia vendosi në territorin e Bjellorusisë sisteme repeater për kontrollin e dronëve sulmues, duke rritur aftësinë për goditje në rajonet veriore të Ukrainës (nga Kievi deri në Volyn).

Disa sulme, përfshirë ato ndaj objekteve energjetike dhe hekurudhave, nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e Bjellorusisë.

Zelensky shtoi se më shumë se 3,000 kompani bjelloruse furnizojnë Rusinë, duke përfshirë komponentë për prodhimin e raketave.

Gjithashtu, Bjellorusia ka vendosur raketën balistike Oreshnik në territorin e saj, dhe që nga 2025-a (duke vazhduar në 2026-ën), ndërmarrjet e vendit furnizojnë Rusinë me njësi kritike, komponentë dhe bazë mekanike për këtë armë.

Ky veprim vjen pas takimit të parë zyrtar midis Zelensky-t dhe udhëheqëses së forcave demokratike bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, më 25 janar në Vilnius, ku u diskutua politika e sanksioneve dhe një strategji e përbashkët me partnerët evropianë dhe amerikanë për të mbajtur përgjegjës Lukashenko-n dhe bashkëpunëtorët e regjimit.

Sipas raportimeve të mediave ukrainase (si European Pravda), autoritetet ukrainase po diskutojnë me opozitën bjelloruse hapjen e një çështjeje penale kundër Lukashenko-s, për të parandaluar daljen e tij nga izolimi ndërkombëtar – sidomos në kushtet e kontakteve të tij me SHBA-në.

Nga ana tjetër, Lukashenko ende nuk ka komentuar zyrtarisht vendimin e Kievit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›