Zgjedhjet – KQZ cakton ndarjen e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ për partitë politike

Projektvendimi për caktimin e partive politike, anëtarëve dhe sekretarëve në komisionet zonale të administrimit zgjedhor, çoi në hedhjen e shortit për të përcaktuar se kujt kahu politik i takojnë.
Duke qenë se Partia Socialiste, si shumicë parlamentare, ka 74 mandate, dhe duke iu referuar shkresës së Kuvendit si përgjigje ndaj kërkesës së KQZ-së për historikun e votimeve të fundit, kjo forcë politike do të ketë 2 anëtarë në KZAZ dhe Partia Socialdemokrate, si forcë e dytë mazhorancë në Kuvend, do të ketë 1 anëtar.
Gjithashtu në ndarjen e numëruesve dhe anëtarëve në komisionet zonale të administrimit të zonave, opozitës i takojnë 2 përfaqësues nga Partia Demokratike dhe 1 anëtar nga Partia e Lirisë.
“Në KZAZ-të çift anëtari i shtatë propozohet nga Partia Socialiste. Anëtari i shtatë në KZAZ-të do të jetë propozim i Partisë Demokratike. Sekretari do të propozohet nga Partia Demokratike në KZAZ-të çift dhe në KZAZ-të tek nga Partia Socialiste,” sqaroi kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Një tjetër pikë që diskutoi KQZ-ja ishte miratimi i modeleve të një pjese të dokumentacionit zgjedhor, që i dërgohet zgjedhësve nga jashtë.
Sipas këtij projektvendimi, parashikohet që në dokumentacionin që i dërgohet zgjedhësve jashtë vendit të përfshihen fleta e votimit, zarfi, materiali udhëzues, si dhe procedura e kthimit të fletës së votimit në KQZ, së bashku me zarfin e jashtëm që përmban fletën e votimit.
“Në këtë zarf janë dhënë shënime udhëzuese për zgjedhësin. Në të ndalohet çfarëdolloj shënimi. Në këtë zarf, zgjedhësi thjesht do të duhet të palosë fletën e votimit dhe ta vendosë brenda,” tha zyrtarja e KQZ-së.
Projektvendimi për fletën e votimit të diasporës është hartuar në mbështetje të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, me qëllim përcaktimin e rregullave për përdorimin e pjesës së dokumentacionit që i dërgohet zgjedhësve jashtë vendit.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/