Zgjedhjet e 11 Majit, KQZ vendos hapjen e 210 kutive të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur në mbledhjen e së enjtes, datë 20 nëntor, hapjen e 210 kutive të votimit brenda vendit dhe jashtë vendit, të administruara në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kutitë e qarqeve Tiranë, Fier dhe Durrës nuk do të rihapen, pasi në këto qarqe u krye rinumërim nga KAS menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, me kërkesë të opozitës.
Sipas KQZ-së, procesi është pjesë e verifikimit paszgjedhor dhe zhvillohet në zbatim të Kodit Zgjedhor.
“Sot në seancë publike u hodh shorti për përcaktimin në mënyrë rastësore të qendrave të votimit dhe kutive të votimit nga jashtë që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor. Verifikimi paszgjedhor kryhet në zbatim të nenit 167/2 të Kodit Zgjedhor dhe bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.