Zgjedhjet e 11 majit, Balla: Ndryshime në kod, afati për regjistrimin e kandidatëve të jetë 4 marsi

TIRANË, 16 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla bëri të ditur sot se do të shikohet mundësia e ndryshimit të afateve të regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, në mënyrë që KQZ të bëjë gati në kohë fletën e votimit.
I ftuar në një studio televizive, Balla theksoi se marrëdhënia e PS-së me diasporën ka qenë gjithmonë një marrëdhënie e fortë.
“PS është e vetmja parti politike që sa herë është diskutuar reforma zgjedhor i vetmi kusht ishte vota e diasporës. Ne e mbajtëm fjalën për këtë. Kemi një gjë që duhet të zgjidhim sapo të nisë Kuvendi, ndryshimin e afateve për regjistrimin e kandidatëve, për t’i mundësuar KQZ-së të bëjë gati fletën e votimit në kohë. Me kodin aktual është data 21 mars si afat kur duhet të depozitohen kandidatët. Kjo dëmton afatin e dorëzimit të fletëve të votimit. E mira do të ishte që ky proces të mbyllej në 4 mars, kur mbyllet regjistrimi i votuesve jashtë vendit”, tha Balla.
Sipas tij, PS është e vetmja parti politike që ndër vite ka pasur në strukturat e saj drejtuese përfaqësues të diasporës.
“Diaspora është një gjyqtar i paanshëm dhe di të gjykojë progresin e dukshëm në Shqipëri vitet e fundit. Ne kemi barazuar vlerën e votës të qytetarit në Shqipëri me qytetarin jashtë”, tha Balla.
/a.f/r.e/