E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, PD-ASHM shpalos programin politik 2025-2029

Një ditë pas hapjes së fushatës elektorale, Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” kanë shpalosur programin politik për vitin 2025-2029, nëse opozita vjen në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.

Në Kuvendin e Partisë Demokratike ka marrë pjesë edhe drejtuesi i fushatës elektorale të ‘PD-ASHM’, Chris LaCivita, ku janë mbajtur edhe fjalimet e rastit. Midis tyre, Belind Këlliçi lëshoi akuza në atë çfarë ka bërë në 12 vite mazhoranca qeverisëse e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

“Sepse, në këto 12 vite Edi Rama u premtoi shqiptarëve rend dhe siguri, e në fakt iu dha Saimir Tahirin, i cili e ktheu Shqipërinë në një parcelë të madhe kanabisi, iu dha Fatmir Xhafën, vëllanë e trafikantit më të madh të kokainës në vendet e BE, iu dha Taulant Enchro chat-in, i cili u dha “pasaportën e art뒒 të gjithë kriminelëve, për ta shndërruar Shqipërinë në Narkoshtetin e parë të Evropës, e në fund u rikthye te babai i tij ideologjik, duke emëruar nipin e Enver Hoxhës si Ministër të Brendshëm, garant të bandave kriminale.

Përse u braktis tallavaja e sotme? Sepse Edi Rama u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas, e në këmbim iu dha atyre Ilir Beqën, i cili me dy koncesionet famëkeqe të Sterilizimit dhe të Check Up-it, e la shëndetësinë rrugëve pa krye dhe, për t’i vënë kapak, rrënoi edhe fondet e BE-së”, u shpreh Këlliçi.

Nga ana e tij, drejtuesi i fushatës elektorale të PD-ASHM, Chris LaCivita theksoi se “12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i madh” dhe se kreu i PD-së, Sali Berisha ka një program vërtet konservator.”

“Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi. Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet”, tha LaCivita.  

Në fjalimin e tij para demokratëve, Berisha iu drejtua kryeministrit Rama se atë e ka braktisur e gjithë Shqipëria kur sipas Berishës, sheshi ishte bosh në hapjen e fushatës së Partisë Socialiste.

Berisha i është drejtuar Ramës që të mos e përdorë pasaportën evropiane për të mbuluar aferat korruptive.

“Por para se të ndalem, unë kam një kërkesë, kam një thirrje për Edi Ramën. Edi Rama, mos përdor emrin e Zotit. Mos përdor emrin e Skënderbeut. Mos përdor emrin e Ismail Qemalit.

Mos përdor flamurin dhe himnin kombëtar për të mbuluar vjedhjet e shpifura të Belinda Ballukut, vjedhjet e Edi Ramës, vjedhjet e Erion Veliajt, vjedhjet e Gjiknurit, e Beqës, Kokës. Vjedhjet pra të ekipit që hajnave që i solle Shqipërisë dhe e rope këtë vend 12 vite me radhë.

Mos i përdor këta emra, se me asgjë nuk mbulon dot vjedhjet e tyre. Edi Rama, populli të ka braktisur. Shqipëria dhe bota e pa sheshin bosh. Shqipëria dhe bota i pa përsëri ministret e tua me lukse dhe superluks, me aksesorë dhjetëra mijëra euroshe teksa gëzonin luksin e tyre”, tha Berisha në prezantimin e programit politik të PD-së dhe ASHM-së në Pallatin e Kongreseve.

Ndërkaq, ditën e djeshme,  Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” hapën zyrtarisht në sheshin “Nënë Tereza” fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka zgjedhur si kolonë zanore që do e shoqërojë përgjatë fushatës, këngën e njohur “Eye of the Tiger” nga grupi “Survivor”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›