E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 6 marsit, Shkodra, qyteti ku të gjithë duan fitoren!

Në politikën shqiptare Shkodra vazhdon të mbetet qyteti të cilin të gjitha forcat politike synojnë ta fitojnë.
Kjo shihet edhe në fushatën e fundit zgjedhore të 6 marsit, ku në vigjilje të votimeve, krerët e forcave politike Rama, Basha dhe Berisha kanë zgjedhur të përcjellin mesazhet e tyre përfundimtare.

Kryeministri Edi Rama, partia e të cilit prej kohësh synon ta fitojë qytetin që konsiderohet bastion i të djathtës, sulmoi kryebashkiaken në detyrë demokraten Voltana Ademin. “Bashkia e Shkodrës … është mizerabël në krahasim me bashkitë e tjera të Shqipërisë” tha zoti Rama. “Na duhet një bashki që i ka dyert e hapura për bashkëpunim, që e mirëpret bashkëpunimin. Na duhet një bashki si e botës ku ai apo ajo që drejton, është aty në radhë të parë për t’i shërbyer komunitetit dhe jo për t’i ndarë ata; tanët dhe të armikut” tha kryeministri socialist ndërsa propozoi kandidaten socialiste Majlinda Angoni.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbyllur të premten fushatën elektorale në Shkodër, duke kërkuar votën për Xhemal Bushatin. Ai tha se kandidati i PD-së, është i duhuri për Shkodrën. “Me forcën pathyeshme të fjalës shkodrane, të bashkimit të zemrave të Shkodrës kundër së keqes çka ka bërë që edhe në ditët më të errëta prap se prap çdo shqiptar sytë t’i kthejë nga i vetmi fanar që nuk thyhet kurrë, Shkodra e kulturës dhe qytetarisë” tha zoti Basha.

Votën e qytetarëve shkodranë e ka kërkuar edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili në këto zgjedhje përfaqëson grupimin “Shtëpia e lirisë”, një fraksion i PD i bashkuar me LSI, me kandidatin Bardh Spahia. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se tentoi të rikthejë diktaturën. “Beteja me Shkodrën është betejë e humbur” tha ai duke shtuar më tej se vota për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë, është votë për të çelë dyert e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, të cilat kanë një rëndësi vendimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›