E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 6 qershorit në Kosovë-KQZ certifikon 3 koalicione,1 kandidat të pavarur, refuzon 2 subjekte

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 qershorit 2026 për tre koalicione politike, një kandidat të pavarur dhe ka refuzuar certifikimin e dy subjekteve të tjera.

Në mbledhjen e sotme, KQZ miratoi rekomandimet e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

Nga 23 subjekte aplikuese (18 parti të regjistruara, 3 koalicione, 1 iniciativë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur), u certifikuan katër.

Subjektet e certifikuara:Koalicioni “Lëvizja Vetëvendosje” – i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane. Koalicioni Vakat. Koalicioni Ashkalitë e Bashkuara. Kandidati i pavarur Esmir Kasi.

Komisioni refuzoi certifikimin e iniciativës qytetare “Složno Pobeđujemo” (me variacione në drejtshkrim si “Slozni po Bedzuema”). Arsyeja kryesore ka qenë dështimi në plotësimin e kushteve ligjore të nenit 16, paragrafi 7 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas drejtorit Besnik Buzhala, nga 1087 nënshkrime të dorëzuara, vetëm 1015 u validuan. Gjatë verifikimit u konstatuan raste të nënshkrimeve të papërcaktuara personalisht, mungesë të numrave të telefonit për 576 mbështetës dhe pamundësi kontakti me rreth 80 persona.

Edhe pas kërkesës për 600 nënshkrime shtesë, subjekti arriti të siguronte vetëm 423.

Në të njëjtën mbledhje, KQZ vendosi të rrisë numrin e votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt, nga 1.500 në 1.900 votues.

Ky vendim u mor pas rritjes së kërkesave për regjistrim dhe vetëm 113 vendeve të lira.

Me miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe konfirmimin e Konsullit të Përgjithshëm, çdo vendvotim do të ketë kapacitet prej 950 votuesish, duke ruajtur kushtet hapësinore dhe logjistike të misionit diplomatik.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 6 qershor 2026.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›