E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, nis zyrtarisht fushata elektorale në Kosovë

Kosova ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore, proces që zgjat për 11 ditë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se subjektet politike kanë të drejtë të zhvillojnë tubime deri në ditën e zgjedhjeve, një minutë para nisjes së procesit të votimit mëngjesin e 28 dhjetorit, ndërsa u bëri thirrje subjekteve politike që të respektojnë kufizimet ligjore gjatë fushatës.

Pavarësisht se zyrtarisht fushata nis këtë të mërkurë, subjektet e certifikuara kanë nisur tubimet më herët.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh i mandatuari i kësaj partie për kryeministër Albin Kurti, në takimet e mbajtura në Prizren dhe Prishtinë, pasi prezantoi kandidatët për deputetë dhe programin e subjektit të tij, bëri me dije se prioritet për katërvjeçarin e ardhshëm do të jenë siguria dhe ekonomia.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi prezantoi 110 kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, me kandidat për kryeministër kreun e partisë Lumir Abdixhiku, shpalosi programin politik të saj, ku prioritet është rritja e pagave.

Një premtim të ngjashëm kanë dhënë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza dhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Ndërkohë, Agjencia për Informim dhe Privatësi me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore ka ripërsëritur kërkesën ndaj partive politike për respektim të plotë të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të katërtat që mbahen brenda këtij viti, pas atyre të 9 shkurtit, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe balotazhit të tyre të mbajtura në 9 nëntor. Për këtë proces janë certifikuar 24 subjekte politike, 18 prej tyre janë parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, ndërkaq numri i përgjithshëm i kandidatëve që garojnë për 120 ulëse në Kuvend është 1180.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›