E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet me KQZ apo KQZ pa zgjedhje!

arben-manaj-150x1501Nga Arben Manaj

Nuk është e thënë që Shqipëria të hyjë në ndonjë palë zgjedhje pa ndonjë kleçkë, edhe 23 vjet pas rënies së komunizmit. KQZ-ja, ende e paformatuar, dhe si janë sinjalet nuk ka për të ndryshuar formati, duket se do të zërë një pjesë të konsiderueshme në një raport të ndërkombëtarëve pas zgjedhjeve, nëse ato eventualisht do të bëhen.

Kompromisi i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, me amerikanët e poshtëruar praktikisht, duket se po injorohet nga pushteti, i cili po luan strabizimin diplomatik me amerikanët e Uashingtonit dhe amerikanët e Tiranës.

Kryeministri e ka zgjidhur dilemën, duke iu rikthyer sërish si shumë herë papërgjegjshmërisht në karrierën e tij politike, sa herë është në pushtet, përplasjes me amerikanët, sidomos kur ai organizon zgjedhje.

Edhe nëse nuk i ecën bllofi, qenien në opozitë e ka në xhep, por nëse i dalin llogaritë, sërish do jetë faktor, pa pasur x-faktorin.

Dilema më e madhe mbetet për opozitën e sotme, e cila ndodhet përballë tundimit dhe euforisë për të marrë pushtetin dhe kryerjen e rotacionit të nevojshëm.

Çështja është: a do mundësohet ky rotacion me këtë KQZ dhe këtë sistem elektoral të deformuar, që shpërfytyron vullnetin e popullit, ku paradoksalisht edhe pse je shumicë dërmuese në totalin e votës popullore, mbetesh pakicë në totalin e mandateve?!

Dilema është hamletiane në thelb: të hysh apo të mos hysh në zgjedhje me këtë KQZ?!

Edhe pse mund të tingëllojë opsion ekstrem, mosmarrja pjesë në zgjedhje kur kanë mbetur ende disa javë, është një përzgjedhje e dhimbshme, e cila do duhet të justifikohet me realizëm dhe plotësisht nga opozita, nëse e ndjen se siguria e rezultatit është në pikëpyetje nga një KQZ si kjo e sotmja, vetëm me anëtarët e mazhorancës.

Nëqoftëse aleanca opozitare e ndjen se me këtë institucion rezultati do jetë i dyshimtë dhe i vjedhur në tavolinë, do të ishte e ndershme që ajo të shprehej qartë dhe pa ekuivok sot për hartën e rrugës së saj deri në 23 qershor, dhe jo kur tia ngrijnë buzëqeshjen elektorale.

Nuk do të kishte kuptim, nëse ekziston frika dhe mesa duket bindja e palëkundur se KQZ e drejtuar me pult nga Berisha, do të jetë një disavantazh i dukshëm dhe do të frenojë fitoren e saj ose një rezultat të ndershëm të zgjedhjeve, që opozita e Ramës dhe Metës të hynin në to, dhe më pas, të qaraviteshin se Berisha ua vodhi sërish zgjedhjet, apo në rastin e përsëritur, të tërhiqeshin nga procesi në ditën e zgjedhjeve si në majin e 96-ës.

Prononcimi opozitar do të ishte më i justifikuar edhe për veshët e ndërkombëtarëve, nëse do të bëhej sot dhe pa vonesë. Kjo do mund të gjeneronte një alarm akoma më të madh ndërkombëtar, i cili nuk do të bënte dot të paditurin paskëtaj.

Kjo do ti linte një opsion të vështirë politik Berishës në tavolinë, i cili do të hynte në zgjedhje, si asnjëherë më parë, pa opozitën, dukë i lënë në gjakimin për legjitimitet, detyrën e garantimit të 50+1 përqind të elektoratit të regjistruar për të marr pjesë në votime, si dhe të justifikonte tek ata që kanë në dorë dhënien e statusit të vendit kandidat, një shteti me një qeveri të dalë nga zgjedhje politike pa opozitën dhe me një KQZ me pjesëtarë vetëm të qeverisë.

Kjo do të ishte e paimagjinueshme dhe e papranueshme për çdo qeveri evropiane dhe Uashingtonin. Kjo është që sot e tillë, ndaj emisari i lartë diplomatik amerikanë ndodhet në Tiranë, me një mision te pamundur, dhe opozita ka në krahun e saj të paktën mirëkuptimin dhe parimësinë demokratike se jo vetëm për të kërcyer tangon, por edhe për të bërë zgjedhje, duhen dy veta ose dy palë.

Nëse ky skenar do të aplikohej, Berisha do ishte në një pozicion tejet të palakmueshme dhe të vështirë, dhe Shqipëria me shanse më të pakta se Bjellorusia për të hyrë ndonjëherë në BE.

Berisha edhe mund ti hyjë kësaj aventure, për të keqen e Shqipërisë, e cila asnjëherë të vetme nuk ka bërë zgjedhje të pakontestueshme, sa herë Berisha ka qenë organizator i tyre, dhe zotërues dhe kontrollues i gjithçkaje në këtë vend.

Në invers të këtij opsioni dhe në mungesë të një kompromisi për këtë institucion, opozita do të duhet të marrë parasysh dhe të kapërdijë çdo situatë post-zgjedhore të disfavorshme për të, bashkë me kostot shoqëruese, nëse nuk ndihet e fuqishme të ndryshojë gjendjen dhe nëse do pranojë të hyjë me këtë KQZ, në të gdhirë të 23 qershorit.

Ky është vendim i saj politik në fund të fundit, për të cilin nuk do ketë kë të fajësojë tjetër, veçse vetveten, nëse përjeton déjà vu-n e radhës, edhe pse mund të ketë siguruar një shkelje syri nga partnerët e rëndësishëm dhe impotent ndërkombëtarë.

Nëse të mashtrojnë një herë, minimalisht nuk është faji yt. Por jo, kur kjo bëhet rrugë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›