E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Gjermani, beteja për Berlinin/ Votimi rajonal që mund t’i kushtojë Friedrich Merzit postin e kancelarit

Qytetarët gjermanë po votojnë këtë të dielë në dy lande, Berlin ddhe Meklenburg-Pomerania Perëndimore, në zgjedhje që mund të shtojnë presionin politik mbi kancelarin Friedrich Merz dhe partinë e tij, CDU. Votimet zhvillohen vetëm dy javë pas fitores së rëndësishme të partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë, AfD, në landin Saksoni-Anhalt. Atje, AfD-ja mori rreth 44% të votave, rezultati më i lartë i saj në një zgjedhje rajonale gjermane, por nuk arriti shumicën absolute.

Tani vëmendja është përqendruar te Berlini dhe Meklenburg-Pomerania Perëndimore, ku sondazhet tregojnë një garë të fortë dhe mbështetje të konsiderueshme për AfD-në. Në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, AfD-ja dhe Partia Socialdemokrate, SPD, janë shumë pranë njëra-tjetrës në sondazhe, ndërsa CDU-ja rrezikon një rezultat shumë të dobët. Nëse CDU-ja bie nën pragun prej 5% dhe mbetet jashtë parlamentit të landit, do të ishte një rezultat i paprecedentë për partinë në periudhën e pasluftës.

Në Berlin, gara është po ashtu e ngushtë. Sondazhi i fundit i publikuar nga ARD e vendoste CDU-në në 20%, ndërsa e Majta, Die Linke, në 21%. AfD-ja ishte në 18%, ndërsa të Gjelbrit në 16% dhe SPD-ja në 12%.

Këto zgjedhje kanë rëndësi edhe për Friedrich Merz, i cili është në detyrë prej rreth 16 muajsh. Rezultatet e dobëta të CDU-së mund të shtojnë debatet brenda partisë për drejtimin e ardhshëm të saj dhe për pozicionin e kancelarit.

Merz ka kundërshtuar deri tani çdo thirrje për dorëheqje dhe ka deklaruar se synon të qëndrojë në detyrë për të gjithë mandatin. Ai ka mbrojtur gjithashtu reformat ekonomike dhe sociale të qeverisë, ndërsa kabineti i tij përballet me pakënaqësi për koston e jetesës dhe gjendjen e ekonomisë gjermane. Presioni ndaj kancelarit u rrit ndjeshëm pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja doli forcë e parë dhe iu afrua shumicës absolute. Ky rezultat ka nxitur diskutime të reja mbi rritjen e ndikimit të së djathtës ekstreme në politikën gjermane.

Në të dy landet, AfD-ja synon të shfrytëzojë pakënaqësinë për çmimet e larta, emigracionin, kriminalitetin dhe problemet ekonomike. Ndërkohë, kundërshtarët e saj shpresojnë që rritja e mbështetjes për partinë të mobilizojë votuesit drejt forcave të tjera politike. Rezultatet e zgjedhjeve te kesaj te diele pritet të tregojnë jo vetëm forcën reale të AfD-së në këto dy lande, por edhe shkallën e presionit që mund të përballet kancelari Friedrich Merz në javët e ardhshme./abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›