E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Himarë, Beleri mesazh nga burgu në gjuhën greke: Sot lufta e fundit për demokraci

Fredi Beleri ka reaguar nga burgu për zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në Himarë. Në një mesazh në gjuhën greke, Beleri shkruan se sot është beteja për demokraci ndërsa ka shprehur mbështetjen ndaj kandidatit Petro Gjikuria.

Beleri shkruan se Gjikuria është njeriu i duhur për të drejtuar bashkinë e Himarës përballë kandidatit të mazhorancës, Vangjel Tavo.

“Vendvotimet janë të hapura! Zemra ime është sot në Himarë, ku pjesëtarët e minoritetit etnik grek po bëjnë luftën përfundimtare për Demokraci dhe të drejtat e tyre.

Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj 425 ditë, mendimet e mia gjithë ditën do të jenë me vëllezërit e mi dhe të gjithë ata që kuptojnë se shteti i Ligjit dhe Demokracia janë të panegociueshme.

Me të gjithë ata që kanë shprehur simpatinë e tyre dhe kanë qëndruar pranë meje përmes kësaj sprove.

Me të gjithë ata që nuk u përkulën para metodave të grushtit të shtetit dhe logjikës para-demokratike dhe sot do ta vërtetojnë edhe një herë.

Suksese nga zemra Petro Gjikuria. Ai është i denjë për Himarë. Jam i sigurt se ai do të udhëheqë bashkinë. Dhe një apel i fundit: shkoni në votime. Historinë e shkruajnë ata që marrin pjesë në votime. Votim të mbarë atëherë!”, shkruan nga burgu Fredi Beleri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›