Zgjedhjet në Kosovë, analisti: Edhe pas 28 Dhjetorit, nuk ka garanci për institucione të qëndrueshme

Me 38 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi këtë të enjte kalimin e buxhetit komunal nga viti 2024 në vitin 2025 me vlerë 28 milionë euro, duke zhbllokuar përkohësisht situatën e krijuar në kryeqytet.
Analisti Blerim Burjani në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, tha se marrëveshja e arritur zbut tensionet që prej muajsh rëndonin mbi transportin publik dhe jetën sociale në kryeqytet, por siç u shpreh analisti, problemet rrënjësore mbeten ende të hapura.
Shumë pranë zgjedhjeve të 28 Dhjetorit, Burjani vlerësoi se nominimi i Albin Kurtit nga Vetëvendosja për një tjetër mandat si Kryeministër nuk ndryshon shumë dinamikat politike, pasi partitë kryesore vazhdojnë të hezitojnë për koalicione të paszgjedhjeve.
Ai paralajmëroi se vendi mund të përballet sërish me ngërç institucional, për shkak të qëndrimeve të papajtueshme mes VV-së, PDK-së dhe LDK-së.
Intervista e plotë:
Sot me sa duket u zgjidh përkohësisht kriza në bashkinë ose në Komunën e Prishtinës. Megjithatë, a e zbuti kjo sadopak tensionin politik që mbizotëroi në kryeqytet për shkak të kësaj përplasjeje?
Burjani: Po, mendoj që natyrisht e zbut situatën. Kjo ka qenë një situatë e menaxhuar për një kohë të caktuar me probleme dhe telashe mjaft të theksuara, brenda aktiviteteve me tensione politike, sociale dhe tensione të tjera. Këto tensione janë përcjellë nga familjet, të cilët kryesisht janë të angazhuar në transportin publik dhe kanë marrëveshje me Komunën e Prishtinës. Besoj që Komuna mundet pak a shumë të frymojë pak më drejt, dhe të frymojnë edhe proceset të zhvillohen ashtu si duhet në këtë transport publik dhe temat e tjera të ngjashme. Ka pasur mjaft shumë shqetësime kohët e fundit. Ju e dini shumë mirë që punëtorët e transportit publik kanë mbetur pa paga prej muajit të maj të këtij viti. Nuk ka pasur ndonjë solucion apo zgjidhje, e cila rezultoi të jetë më shumë politike sesa diçka e natyrës tjetër.
Partitë po bëhen gati për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndërkohë, Vetëvendosja nominoi zotin Kurti sërish për Kryeministër. Çfarë mesazhi përcjell kjo për votuesit, sepse ai menjëherë deklaroi që nuk do të bëjë pazar për Qeverinë e re?
Burjani: Dihet që ai nuk është shumë i ngurtë në këtë temën e bërjes së koalicionit me subjektet opozitare. Sidomos Partinë Demokratike heziton mjaft shumë. Por, natyrisht, në anën tjetër, LDK heziton që të bëhet me Vetëvendosjen apo të themelojë koalicion paszgjedhor me VV-në dhe të bëjë Qeverinë. Pra, do të kemi sërish deri diku një ngërç. Deri më tani nuk ka lëvizje, me përjashtim të opozitës, e cila ka thënë që në rast se ne i bëjmë numrat, do ta bëjmë Qeverinë vetëm pa VV-në. Në të kundërtën, VV nuk ka dhënë kurrfarë sinjali që është i gatshëm të bëjë ndonjë kompromis me ndonjërën nga partitë politike opozitare, kur dihet që LDK-ja nuk dëshiron të hyjë në pazare me VV-në. Pra, do të jemi prapë deri diku në një ngërç. Edhe tani, edhe pse jemi në garë, pothuajse ka filluar fushata dhe fillon shumë shpejt fushata parazgjedhore. Prapë se prapë, nuk ka garancione se Kosova do të ketë institucione të rregullta dhe do të krijohen institucione.
Kemi dëgjuar ndërkohë LDK-në, e cila do të dalë e vetme, por ndërkohë është shprehur e gatshme të hapë listat për forcat aleate. A funksionon kjo formulë sipas jush?
Burjani: Po. LDK bën përpjekje që të jetë më e fuqishme dhe të ketë elektorat më të madh. Pra, ka hapur dyer, po më duket vonë. LDK do të kishte dashur t’i hapë këto dyer edhe më herët. Ajo ka qenë kryesisht një parti konservatore e cila gjithë listën e vet e ka bërë për vete dhe e ka pasur vetëm AKR-në në koalicion deri më tani. AKR-ja ka një përvojë të mirë me LDK-në në zgjedhjet e mëhershme. Përderisa tashti ua ka hapur rrugën edhe zotit Klimaj, edhe Nismës. Mirëpo, ende nuk kemi diçka konkrete në këtë temë. AKR-ja veç e ka bërë publike që do ta ketë një takim dhe është konfirmuar se do të jetë në listën e LDK-së. Pra, ka disa aderime në LDK, por jo figura nga bota e artit, e muzikës, apo nga ana e shkencës, apo universiteteve. Nuk ka shumë aderime në këtë subjekt politik. Janë vetëm dy-tre aderime. Nuk ka ndonjë rëndësi fort për këtë subjekt politik në këtë mënyrë, sepse nuk ka ndonjë figurë tjetër qendrore e cila do të kishte marrë votë më shumë.
/vizionplus.tv