Zgjedhjet në LSI, Panariti, kandidat për Tiranën
Në garën për kreun e ri të LSI-së së Tiranës do të konkurrojë Edmond Panariti. Ai ia paraqiti dje këtë kërkesë sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama, për kandidimin për kryetar të LSI-së për Tiranën. Panariti është ndër themeluesit e LSI-së së kryeqytetit. Brenda 20 qershorit është afati i shpalljes së kandidaturave, më 26 shtator do të mbyllet me zgjedhjen e drejtuesve të rinj. Panariti është kandidati i parë i procesit të ristrukturimit të LSI-së dhe dy janë arsyet që e shtynë drejt kësaj sfide. Dy arsye të forta më shtynë mua drejt kandidimit: së pari, unë jam një ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një njohës i mirë dhe kontribuues sistematik në strukturat e LSI-së së Tiranës. Veçanërisht përvoja ime rreth gjashtëvjeçare e komunikimeve të vazhdueshme me anëtarësinë dhe zgjedhësit në Tiranë kanë krijuar tashmë te unë modelin e një politikëbërjeje dinamike dhe konkrete. Te ky model unë fuqimisht besoj, pikërisht unë këtë model synoj ta kthej në një mënyrë veprimi dhe shërbimi ndaj qytetarëve, nëse anëtarësia, natyrisht, do të më mbështesë me votë. Synimi im është që ti rikthej dhe ti jap një dimension dinamik bashkëpunues për qytetarin Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Tiranës, - deklaroi z. Panariti. Sipas tij, ka dhe një arsye tjetër: Unë jam jo vetëm një qytetar i Tiranës, por dhe me orgjinë nga ky qytet. I përkas njërës prej familjeve më të vjetra të këtij qyteti. Për këtë arsye unë jam i lidhur shpirtërisht dhe i ndjeshëm ndaj pulsit të zhvillimeve, por edhe ndaj brengave dhe shqetësimeve të këtij qyteti. Prandaj, kandidimi im duhet parë edhe si një borxh, si një përgjegjësi dhe si një dëshirë që unë kam për ti shërbyer qytetit, qytetarit dhe në fund të fundit është dëshira për ta parë Tiranën një qytet metropol evropian.