Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, subjektet politike prezantojnë programet dhe kandidatët për deputetë

Maqedonia e Veriut nisi fushatën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ku garojnë 17 subjekte politike, 5 prej tyre koalicione dhe 12 parti. Në tubimin hapës, Dimitar Kovaçevski, kreu i koalicionit “Ardhmëria Evropiane” që drejtohet nga LSDM kërkoi mbështetjeje që vendi të mos e largohet nga rruga evropiane.
“Falë socialdemokratëve të Maqedonisë së Veriut dhe koalicionit të saj sot ne jemi si kurrë më parë më pranë familjes evropiane. Do të ishte një gabim i madh nëse do të largoheshim ose do të lejonim që ky proces të pengohej”, tha Lideri i LSDM, Maqedoni e Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski në takimin hapës të fushatës tha se vendit duhet t’i rikthehet shpresa.
“Nuk ka shpresë dhe ëndërr që nuk është shkatërruar, por është koha që të rilindin. Ne nuk do t’ia dorëzojmë vendin dhe as të ardhmen kundërshtarit politik. Nuk do ta lejojmë më të luajnë me jetën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh Kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski
Ndërkohë roli i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut konsiderohet mjaft i rëndësishëm për shkak të koalicioneve pas zgjedhore, pasi asnjë nga partitë fituese nuk arrin të formojë qeverinë e vetme. Në të njëjtën kohë në Maqedoninë e Veriut vazhdon fushata presidenciale, ku kandidojnë edhe dy shqiptarë Bujar Osmani nga BDI dhe Arben Taravari nga koalicioni VLEN. Raundi i parë i tyre mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti zhvillohet bashkë me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, rreth 1.8 milionë qytetarë me të drejtë mund të dalin të votojnë në zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut.
/RTSH/