E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet në SHBA, ja njeriu i cili mbajti gjallë shpresat e demokratëve për në Senat

Njeriu që ndihmoi demokratët të qëndrojnë në pozicionin për të ruajtur kontrollin në Senat është John Fetterman nga Pensilvania. Kandidati 53-vjeçar me tatuazhe, i veshur me kapuç, 2 metra i gjatë, pësoi një goditje thuajse fatale vetëm pesë muaj më parë, gjë që e mbajti atë larg syrit të publikut për disa javë.

Ai madje paraqiti një performancë mjaft zhgënjyese edhe në një debat televiziv kundër rivalit të tij republikan Mehmet Oz, një kandidat i mbështetur nga Trump, prezantues i famshëm televiziv. 

Në disa raste, Fetterman nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje të shpejta, të shkathëta, si dhe të përleshej verbalisht, një tipar ky që karakterizon debatet politike amerikane.

Por mbrëmë, ai u dha demokratëve një fitore të madhe për një vend në Senat, në një shtet që ka qenë fushë beteje e madhe në zgjedhjet e fundit.

Ai doli në podium vetëm rreth gjashtë orë pas mbylljes së qendrave të votimit për të shpallur fitoren e tij, si dhe përsëriti atë që ka thënë gjatë dy javëve të fundit në përgjigje të pyetjeve rreth performancës së tij në debat.

“Kjo fushatë ka qenë gjithmonë për të gjithë ata që janë rrëzuar njëherë, dhe janë ngritur sërish,”- tha ai.

Demokratët po përballen me gara të vështira në disa shtete, por fitorja e Pensilvanisë forcon shpresat e tyre për të mbajtur shumicën e ngushtë 50-50 në Senat edhe për dy vitet në vazhdim. BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›