E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Serbi, Begaj thirrje shqiptarëve të Preshevës: Votoni masivisht, rrisni përfaqësimin politik

Serbia mban ditën e nesërme zgjedhjet parlamentare dhe lokale në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me dy lista, ajo e Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.

Referuar këtyre zgjedhjeve, kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë masivisht në këtë proces.

Në mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në jug të Serbisë, Begaj thekson se ky është një moment mjaft i rëndësishëm në përfaqësimin e tyre politik dhe mbrojtjen e të drejtave.

“Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc!  Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja”, shkruan Begaj.

Ai nënvizon më tej se për të rritur përfaqësimin politik dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ajo mund të arrihet “vetëm përmes  pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj”

“Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë  në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, përfundon më mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›