Zgjedhjet në Spanjë/ E djathta kryeson, por nuk arrin shumicën

Asnjë parti apo bllok nuk arriti të fitojë një shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të Spanjës.
Sipas rezultateve të dala pas numërimit të 100 për qind të votave, pavarësisht se Partia Popullore (PP) kryesoji në këto votime, ajo nuk arriti të marrë shumicën në parlament.
PP-ja arriti të marrë 136 vende në dhomën e poshtme të parlamentit prej 350 vendesh, 47 më shumë sesa që kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme, të mbajtura më 2019.
Ndërsa, partia e ekstremit të djathtë, Vox, renditet e treta pasi arriti të marrë 33 vende – 19 më pak se në zgjedhjet e 2019-tës.
Por, një koalicion hipotetik mes saj dhe PP-së përsëri nuk mund të arrijë shumicën absolute prej 176 vendeve parlamentare.
Ndërkohë, Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë, e kryeministrit Pedro Sanchez, e cila doli e dyta, mori 122 vende, dy më shumë sesa në 2019, ndërsa aleatja e saj, Sumar nga ekstremi i majtë, mori 31 vende, duke mos arritur të kenë shumicën në parlament pa ndihmën e partive të tjera më të vogla. Parlamenti i ri i Spanjës do të mblidhet brenda një muaji.
Mbreti Felipe VI më pas emëron një nga udhëheqësit e partisë për ta paraqitur atë në një votim parlamentar për të formuar një qeveri të re.
Ligjvënësit kanë një periudhë maksimale prej tre muajsh për të arritur një marrëveshje. Përndryshe, do të hapen zgjedhje të reja.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/