Zgjedhjet parlamentare në Rusi, Komisioni Zgjedhor raporton mbi 1 mijë sulme kibernetike

Komisioni Zgjedhor i Rusisë njoftoi sot se ka regjistruar më shumë se një mijë sulme kibernetike, të cilat synonin të shkaktonin probleme në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen në vend që nga e premtja.
“Janë regjistruar më shumë se një mijë sulme DDoS ndaj infrastrukturave ruse të përfshira në procesin zgjedhor”, deklaroi kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Ella Pamfilova, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Sulmet DDoS (Distributed Denial of Service, sulme të shpërndara për mohimin e shërbimit) synojnë mbingarkimin e një sistemi përmes valëve të vazhdueshme të kërkesave.
“Sulmet u kryen nga grupe shumë profesionale dhe të mirëkoordinuara, të cilat përdorën mjete të inteligjencës artificiale dhe vinin kryesisht nga jashtë vendit”, shtoi Pamfilova.
Ajo tha gjithashtu se u kryen sulme të synuara ndaj infrastrukturës së telekomunikacionit në të gjithë Rusinë, duke theksuar se të gjitha sulmet mbartin shenja të ndërhyrjes ukrainase.
Të shtunën, në ditën e dytë të votimit, i cili zhvillohet edhe në mënyrë elektronike në rreth 30 rajone, Komisioni Zgjedhor kishte denoncuar më herët se sistemi i votimit ishte përballur me një “sulm kibernetik shumë të fuqishëm”, i cili vijoi gjatë gjithë ditës.