Zgjedhjet vendore në Kosovë, gazetari RTSH-së raporton nga Mitrovica

Në një raportim të drejtpërdrejtë nga Mitrovica, gazetari i RTSH-së, Mario Merhori, bëri të ditur se procesi i votimit për zgjedhjet vendore në Kosovë po zhvillohet pa problematika dhe pa vonesa në qendrat e votimit.
Merhori theksoi se në Mitrovicën e Veriut është vërejtur organizim nga komuniteti serb duke shkuar në grup drejt qendrave të votimit në orare të caktuara.
Kjo dukuri, theksoi ai, është pasqyruar edhe nga mediat në Kosovë, dhe është cilësuar si e pazakontë për procesin zgjedhor.
“Në disa prej komunave është vënë re që kanë votuar në mënyrë të organizuar, duke shkuar drejt qendrave të votimit në një masë të madhe. Kjo është pasqyruar nga mediat e Kosovës dhe është parë si një shkelje. Por deri tani situata është e qetë. Nuk ka pasur incidente dhe në të gjitha qendrat e votimit po kryhet i gjithë procesi në mënyrë transparente,” tha ai.
Sipas tij, votimi në grup është përqendruar kryesisht në Mitrovicën e Veriut dhe në katër komunat me shumicë serbe.
“Këtu është vënë re që pjesëtarët e komunitetit mblidhen së bashku në një orar të caktuar në qendër të komunës dhe më pas të gjithë së bashku shkojnë drejt qendrës së votimit duke pritur radhën,” u shpreh Merhori.
Gjithashtu ai tha se , “Pak më herët, misioni i Bashkimit Evropian ka bërë thirrje për angazhim të plotë të institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, për të garantuar një proces votimi të qetë dhe pa incidente në të gjithë territorin.”
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga rreth 94% e vendvotimeve të përpunuara, kanë votuar 158,691 qytetarë nga gjithsej 2,025,105 votues të regjistruar, që përfaqëson vetëm 7.84% të pjesëmarrjes.
Në këto zgjedhje, mbi 2 milionë qytetarë janë thirrur të votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Në garë janë 93 subjekte politike, ndërsa votimi po zhvillohet edhe në komunat me shumicë serbe në veri.
/rtsh.al/