E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohen investimet në serra, prodhimet shqiptare eksportohen në tregjet europiane

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Fermerët në rajone të ndyshme të vendit po zgjerojnë investimet në prodhimin bujqësor, duke rritur kapacitetet prodhuese dhe orientuar produktet drejt tregjeve europiane.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau sot në rrjetet sociale shembullin e fermerit Elton Biti në Divjakë, si një model i investimit dhe zhvillimit në sektorin e bujqësisë.

“Në fermën me 3,5 hektarë serra kultivohen kryesisht shalqinj dhe pjepër, me një prodhim që arrin deri në 21 tonë për çdo cikël prodhimi”, u shpreh Salla.

Ai theksoi se aktiviteti i fermës ka ndikim edhe në punësim, pasi aty angazhohen gjashtë punonjës, duke siguruar të ardhura për familjet e tyre dhe duke kontribuar në ekonominë lokale.

Ministri Salla nënvizoi gjithashtu se prodhimet e fermës janë të orientuara drejt eksporteve në tregjet europiane, si dëshmi e cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare “Made in Albania”.

Sektori bujqësor vijon të mbetet një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, me investime në rritje në serra, teknologji dhe zgjerim të eksporteve të produkteve bujqësore.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›