Zhdukja e Remzi Hoxhës, Sefgjini e Koldashi të pafajshëm, 15 vjet për Kumbaron

Remzi Hoxha
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të dënojë me 15 vjet burg Ilir Kumbaron për zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndërkohë që ka shpallur të pafajshëm dy të akuzuarit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.
Dosja e këtyre dy të fundit është pushuar nga ana e gjykatës, pas kërkesës së prokurorisë gjatë pretencës, e cila kërkoi pikërisht këtë masë për Sefgjinin dhe Koldashin.
Ardian Hoxha, djali i viktimës, e ka cilësuar të padrejtë këtë vendim, duke thënë se drejtësia po e vret për herë të dytë babanë e tij.
I dënuari i vetëm për këtë ngjarje, Ilir Kumbaro, u arratis në një kohë që në Shqipëri Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.
Remzi Hoxha u rrëmbye nga ana e SHIK 17 vjet më parë, së bashku me Ziso Kristopulin dhe Avdyl Loshajn dhe ende sot e kësaj dite nuk është gjendur kufoma e tij. Pavarësisht se kishte prova të forta për përfshirjen e Sefgjinit dhe Koldashit në këtë rrëmbim, ndaj tyre çuditërisht u pushua akuza dhe u dënua vetëm një i arratisur, që ndoshta nuk do të kapet dhe nuk do të vuajë kurrë dënimin e dhënë.