E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Ligji për Agjencinë e Shërbimeve Arsimore u bë për interesa private

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në interpelancën e zhvilluar sot me ministren e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, lidhur me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, tha se ish-Qendra e Shërbimeve Arsimore u shndërrua në strukturë që favorizon interesa private dhe klientë të qeverisë.

Në fjalën e saj, Zhupa shprehu keqardhjen për mënyrën si funksionon Parlamenti, pasi  interpelancën me ministren Kumbaro e kishte kërkuar përpara miratimit të ligjit.

“Më vjen keq për mënyrën si funksionon parlamenti se e kam kërkuar këtë interpelancë që përpara se të vinte ligji dhe po e bëj pasi është miratuar ligji”, tha Zhupa.

Deputetja Zhupa u shpreh se “nuk është asnjë surprizë që kur ka diçka që funksionon mirë, siç ishte qendra që prodhonte rreth 1 milion euro në vit përmes tarifave aktuale t’i vihet syri për ta marrë e për t’ia kaluar privatit”.

“E njëjta ministre që i dha po të njëjtit klient Butrintin, pasi prodhonte 2.5 milionë euro në vit nga të ardhurat e biletave, pra ligje me porosi që bëhen për të hequr një shërbim publik dhe për t’ia çuar privatit”, tha Zhupa.

Duke folur për ish-Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Zhupa tha se “kjo qendër kishte kompetenca të rëndësishme, si hartimi i tezave të Maturës Shtetërore, licensimi i profesioneve të rregulluara, njohja e diplomave dhe ofrimi i shërbimeve për studentët brenda dhe jashtë vendit”.

“Kjo qendër që ka të dhëna personale dhe ofron shërbime jetike për arsimin publik shqiptar. Nuk ka mënyrë tjetër për të hyrë në universitet, përveçse të bësh Maturën Shtetërore, pra është një detyrim shtetëror. Si ka mundësi të vetmin mekanizëm që ke për të hyrë në universitet, t’ia lësh një privati. Si ka mundësi në këtë vend të bëhet një analizë e një strukture publike nga një privat, pa pasur asnjë marrëveshje? Si e bëri AADF analizën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, kur nuk kishte asnjë kontratë apo marrëveshje për të marrë informacion nga qendra?”, tha Zhupa.

Deputetja Zhupa tha se “vetëm në Shqipëri ndodh që analizën e një institucioni ta bëjë një privat, të thotë se është shumë keq dhe më pas të propozojë zgjidhje”.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›