E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Muzeu Arkeologjik ka nevojë për ekspozim dinjitoz, jo në parking nëntokësor

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Në seancën pyetje-përgjigje të zhvilluar sot me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa, kjo e fundit drejtoi një sërë pyetjesh rreth vendimit për të ngritur Muzeun Arkeologjik në mjediset e një parkingu nëntokësor.

Zhupa tha se, shqiptarët do ta kenë muzeun arkeologjik në një kat parkimi nëntokësor.

“Në të gjithë botën arkeologjia funksionon duke nxjerrë nga toka në dritën e diellit, për të zhgroposur gjetjet, kurse në Shqipëri ndodh e kundërta. A thua se na vjen turp nga identiteti dhe historia e shqiptarëve”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Sipas saj vendosja e artefakteve në këtë mjedis, është vrasje që i bëhet identitetit shqiptar.

“Kam thirrur ministrin të na thotë se cili është modeli ndërkombëtar të cilit i është referuar në konceptimin e një kati parkimi si muze arkeologjik. A është konsultuar komuniteti i ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe a ka pasur mendime kundërshtuese nga ata? Si e justifikon zgjedhjen e një hapësire të tillë kur muzeu ka nevojë për një ekspozim dinjitoz duke i dhënë rëndësi trashëgimisë që përfaqëson?”, ishin disa nga pyetjet që i drejtoi deputetja e opozitës, kreut të MTKS.

Në fund Zhupa pyeti edhe rreth kushteve teknike të ruajtjes së artefakteve (ndriçimi, lagështia etj.) dhe e konsideroi këtë muze, groposje në një kat parkimi.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›