Zhvillimet në Kosovë, Kurti takon O’Brien e Lajçak në Nju-Jork

PRISHTINË, 27 shtator /ATSH/ Kryeministri Albin Kurti u takua sot në Nju-Jork me ndihmëssekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit James O’Brien dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, dialogun dhe bashkëpunimin rajonal para samitit të Procesit të Berlinit.
Kurti theksoi se qeveria e Kosovës është e angazhuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.
Ai shprehu përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit të barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të marrëveshjes bazike dhe aneksin e saj që duhet të zbatohet e plotë.
Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Nju-Jork.
Ai në rrjetin social X ka shkruar se në takim është diskutuar për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne ramë dakord se nuk ka alternativë për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar diplomati sllovak.
Kryeministri Albin Kurti ndodhet në Nju-Jork, SHBA, ku merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai e filloi vizitën në SHBA me takimin bilateral me homologun e tij nga Lihtenshtajni, Daniel Risch. Gjithashtu Kurti zhvilloi takime me ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel; shefin e diplomacisë së Singaporit, Vivian Balakrishnan, me të cilin ka diskutuar mbi ngritjen e shkëmbimeve tregtare, ekonomike, kulturore dhe përvojave ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Nju-Jork takoi edhe homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bisedoi mbi avancimin e raporteve diplomatike dhe shtimin e bashkëpunimit të dyanshëm.
/KosovaPress/