E Martë, 3 Nëntor 2026

Zhvillimi i Tregjeve Kapitale dhe Financiare, ministri Mete takim me Drejtorin e BERZH

Zhvillimi i Tregjeve Kapitale dhe Financiare, ministri Mete takim me Drejtorin e BERZH 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, priti në një takim Drejtorin e Zhvillimit të Tregjeve Kapitale dhe Financiare në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Alex Pivovarsky.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe asistencës nga BERZH për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka shprehur gadishmërinë për asistuar Shqipërinë në zhvillimin e tregut të obligacioneve nga ndërmarrjet shtetërore, korporatat dhe bashkitë. Gjithashtu, BERZH, nisur nga eksperienca në këtë fushë, ka shprehur gadishmëri për të asistuar sa i përket ngritjes së kapaciteteve për emetuesit e mundshëm, si edhe për rregullatorët. 

Ministri Mete vlerësoi se asistenca e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të jetë me rëndësi për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendin tonë, ku aktualisht është miratuar kuadri ligjor dhe rregullator, si edhe është plotësuar infrastruktura e tregtimit dhe pastregtimit.

Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre.

Gjatë takimit, palët diskutuan edhe mbi ecurinë e bashkëpununimit mes qeverisë shqiptare dhe BERZH, mbështetjen për Shqipërinë në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, përmes financimit të projekteve konkrete, si dhe axhendën e reformave në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›