Zjarr i fuqishëm në Gjirin e Lalzit, flakët përfshijnë zonën e Shën Pjetrit, evakuohen pushuesit dhe banorët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit, ku përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar ndjeshëm nga era e fortë.
Për shkak të rrezikut të afërt për jetën e qytetarëve, autoritetet kanë ndërmarrë menjëherë evakuimin e plotë të personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.
Në terren po zhvillohet një operacion masiv nga strukturat zjarrfikëse dhe forcat e emergjencës për vënien nën kontroll të situatës. Angazhimi logjistik dhe njerëzor përfshin:
Bashkinë Durrës (MZSH) me 4 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.
Ndërmarrjet e Bashkisë Durrës me 3 autobote mbështetëse.
Bashkinë Tiranë (MZSH) me 2 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.
Bashkitë Shijak, Kavajë dhe Kamëz (MZSH) me nga 1 mjet zjarrfikës secila.
Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) me 3 mjete zjarrfikëse dhe 40 forca të dërguara në mbështetje.
Operacioni paraqitet i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, ndërsa institucionet në bashkëpunim të ngushtë po mbajnë në gatishmëri të plotë kapacitetet e tyre deri në normalizimin e plotë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur dhe të ndjekin udhëzimet e tyre.
/rtsh.al/