E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr i madh gjatë natës në Gjyralë të Cërrikut, flakët përfshijnë sipërfaqe të gjerë, vijojnë operacionet për shuarjen e vatrave

Një zjarr me përmasa të konsiderueshme është aktivizuar gjatë orëve të natës në fshatin Gjyralë, në Bashkinë e Cërrikut, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe bimësi të ulët.

Pas përhapjes së shpejtë të flakëve, strukturat e emergjencave civile dhe shërbimi zjarrfikës i Cërrikut kanë ndërhyrë menjëherë në terren me dy mjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë. Ekipet kanë punuar gjatë gjithë natës për izolimin e vatrës dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

Banesat nuk rrezikohen. Sipas autoriteteve vendore, aktualisht nuk ka rrezik për banesat e fshatit Gjyralë. Vatrat e zjarrit ndodhen në distancë nga zonat e banuara, ndërsa zjarrfikësit kanë krijuar një brez mbrojtës për të penguar përhapjen e flakëve drejt banesave.

Operacioni i shuarjes vijon edhe gjatë ditës, me forcat në terren që po punojnë për eliminimin e vatrave të mbetura dhe kontrollin e plotë të perimetrit të zjarrit.

Autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur riaktivizimin e flakëve, veçanërisht për shkak të erës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›