Zjarr me përmasa të mëdha në Malin e Gjerë, rrezikohet përhapja për shkak të terrenit të vështirë

Një vatër zjarri me përmasa të mëdha është aktivizuar mbrëmjen e sotme në shpatin e Malit të Gjerë, mbi zonën e Levenishtit, në vendin e quajtur Milava. Njoftimi zyrtar është marrë nga Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) Gjirokastër rreth orës 21:30, duke vendosur në gatishmëri strukturat vendore të emergjencave.
Për shkak të bimësisë së dendur dhe relievit të thyer malor, vatrat e zjarrit po favorizohen duke krijuar rrezik të lartë për përhapjen e mëtejshme të flakëve në sipërfaqe të tjera pyjore.
Për përballimin e situatës dhe izolimin e vatrës, në vendngjarje janë dërguar menjëherë tri grupe shërbimi të MZSH-së Gjirokastër. Zjarrfikësit po punojnë në kushte të vështira për shkak të terrenit malor dhe orarit të natës, me synim vënien e flakëve nën kontroll përpara se ato të marrin përmasa më të mëdha.
“Në vendngjarje ndodhen tre grupe shërbimi të Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin dhe fikjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.”, deklaron Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër.
/rtsh.al/