Zjarr në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, Braçe apel qytetarëve: Bëni kujdes

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Policia bëri të ditur sot se, rreth orës 19:35, në vendin e quajtur “Qafa e Sokolit”, në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë, ka rënë zjarr.
Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, ka marrë flakë dhe një biznes që merret me përpunimin e lëndës drusore.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje për të fikur zjarrin, si dhe për menaxhimin e trafikut në aksin e bllokuar të rrugës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.
Ndërsa deputeti socialist i qarkut të Fierit, Erion Braçe u bëri thirrje të gjithë atyre që po udhëtojnë nga Kavaja dhe Rrogozhina për në Divjakë e Lushnjë, se ka një zjarr shumë të madh në rrethrrotullimin e Çermës dhe se duhet të kenë kujdes.
Braçe theksoi se, zjarrfikësit janë në vend e ndërkohë edhe nga qytetet fqinje po vijnë aty.
“Bëni kujdes! Ndaloni aty ku jeni derisa zjarri që është në autostrade të shuhet plotësisht”, apelon Braçe.
/r.e/a.f/