E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në një lokal nate në Bangkok, shkon në 30 numri i viktimave

Numri i viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu një lokal nate në Bangkok të Tajlandës është rritur në 30, ndërsa më shumë se 70 persona kanë mbetur të plagosur, 24 prej tyre në gjendje kritike. Autoritetet tajlandeze kanë nisur një hetim të gjerë për të zbuluar nëse neglizhenca dhe shkeljet e rregullave të sigurisë kontribuuan në tragjedinë e rëndë.

Zjarri shpërtheu vonë mbrëmjen e së dielës në një lokal nate, ndërsa në ambient po zhvillohej një koncert me muzikë live. Sipas hetimeve paraprake, flakët dyshohet se nisën nga një qark i shkurtër në një kondicioner, pranë skenës, duke ndërprerë menjëherë energjinë elektrike dhe duke e zhytur lokalin në errësirë.

Sipas policisë, përdorimi i materialeve shumë të ndezshme në dekorimin e skenës dhe ambienteve tregon “mungesë kujdesi dhe shpërfillje për sigurinë e klientëve”.

Shumë nga viktimat u gjetën në tualetet që ndodheshin në pjesën e pasme të lokalit. Ekspertët besojnë se klientët u përpoqën të largoheshin nga flakët duke vrapuar drejt asaj zone, por mbetën të bllokuar pasi nuk mundën të gjenin një rrugëdalje.

Dëshmitarët kanë treguar se zjarri përfshiu të gjithë lokalin pothuajse menjëherë. Grupi muzikor tajlandez Thotsakan, i cili po performonte në momentin e shpërthimit të flakëve, humbi dy nga anëtarët e tij në tragjedi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›