Zjarr në një ndërtesë në qytetin alpin të Zvicrës, 5 të zhdukur dhe 8 të plagosur

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një ndërtesë në qytetin zviceran Thusis, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas policisë kantonale, pesë persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa tetë të tjerë janë plagosur. Ndërtesa, e cila përfshinte një restorant dhe apartamente, është shkatërruar plotësisht nga flakët.
Zjarri ka shpërthyer pak pas mesnatës, ndërsa hetimet paraprake sugjerojnë se flakët kanë nisur në katin e dytë të godinës. Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe po hetohet nga policia.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 100 zjarrfikës. Për shkak të dëmtimit të rëndë të strukturës së ndërtesës, shkallët janë shembur dhe ekipet e emergjencës janë detyruar të hapin çatinë me ndihmën e një vinçi për të vijuar kërkimet.
Nga ndërtesa kanë mundur të dalin 14 persona. Sipas autoriteteve, dy prej tyre kanë marrë plagë të rënda, dy kanë pësuar lëndime të moderuara dhe katër kanë marrë lëndime të lehta.
Ndërkohë, operacioni i kërkim-shpëtimit vijon për gjetjen e pesë personave të zhdukur. Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës po çmontojnë çatinë pjesë-pjesë për të arritur te zonat ku janë shembur shkallët.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, nëse gjatë kërkimeve gjenden mbetje njerëzore, do të merren mostra ADN-je për identifikimin e tyre.
/rtsh.al/