Zjarr në një pallat në Lushnjë/ Dyshohet i qëllimshëm, zjarrfikësit izolojnë flakët

Një zjarr është regjistruar në një pallat shumëkatësh në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pranë spitalit të Lushnjës.
Sipas informacioneve, banorët kanë konstatuar tym dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Ndërhyrja e shpejtë e forcave të zjarrfikëses ka bërë të mundur izolimin e flakëve në një apartament në katin e tretë, duke shmangur përhapjen e tyre në banesat e tjera.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton shkaqet e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se pronari i banesës, një 40-vjeçar, i ka vënë flakën apartamentit në disa vende dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas burimeve policore, dyshohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor. Forcat e rendit po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.