Zjarret- Përhapen flakët në Sasaj të Himarës, zbresin drejt zonave të banuara

Vijon përhapja e vatrave të zjarrit në fshatin Sasajt të Himarës. Aktualisht, një vatër e madhe zjarri është aktive mbi fshatin Sasaj, tre vatra janë të hapura në Lukovë dhe një tjetër në Shën Vasil.
Gjatë gjithë natës situata ka qenë e rënduar në këto zona për shkak të erës, e cila ka favorizuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Mbrëmjen e djeshme janë evakuuar banorët e fshatit Sasaj, ku rreth 50 persona kanë qëndruar në qendër të fshatit, pasi zjarri është afruar rrezikshëm pranë banesave të tyre.
Zjarri, që ka ardhur nga zona që lidh fshatrat e Delvinës me ato të Himarës, ka rritur ndjeshëm rrezikshmërinë edhe në Lukovë dhe Shën Vasil.
Forca të shumta zjarrfikëse, policia, FNSH dhe emergjencat civile kanë mbi 60 orë që ndodhen në terren, pasi flakët riaktivizohen sa herë që fryn era.
Edhe këtë mëngjes, zjarri në Lukovë mbetet aktiv dhe mbahet nën kontroll, ndërsa pritet mbërritja e helikopterëve për të ndërhyrë nga ajri me hedhje uji mbi vatrat.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka bërë me dije se është kërkuar ndihma e bordit të kullimit dhe OSHEE-së për vendosjen e pompave me zhytje në një prej kanaleve në luginën e Sasajt e cila dërgon ujë deri në Bunec.
“Ka pasur vatra aktive gjatë gjithë ditës. për shkak të erave të forta që fryjnë në zonë, është duke zbritur drejt zonave të banuara. Janë rreth 30 banorë që jetojnë në zonë, ndërsa banesa janë shumë më shumë.
Këtu janë të gjithë forcat e dislokuara, përsa i përket emergjencave civile dhe pajisjet që ka bashkia e Himarës, bashkë me zjarrfikësit e bashkisë Himarës. Kemi kërkuar disa forca të tjera që të vijnë në ndihmë.
Ka ardhur dhe ushtria dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë për evakuimin e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen nga banesat. Kemi kërkuar ndihmën e bordit të kullimit dhe OSHEE për të vendosur pompa me zhytje në një kanal në luginën e Sasajt dhe dërgon deri në Bunec. Po sjellim të gjitha forcat bashkë: ushtria, zjarrfikëset, emergjencat civile, policia e shtetit, të gjithë jemi këtu”, deklaroi Balluku.
Situata nga zjarret në vend paraqitet serioze. Në fshatrat Kopaçëz, Tatzat, Senicë dhe Palavli të Bashkisë Delvinë, zjarri vijon aktiv. Vatra aktive ka edhe në Parkun Kombëtar të Lurës, Zall Gjoçaj (Mat), Gramsh, Elbasan, Mirditë, Devoll, Pogradec, Prespë (Pustec), Berat, Skërficë (Gjirokastër), Memaliaj, Tiranë, Shijak dhe Malësi e Madhe – ku ndërhyrjet janë të vështira për shkak të terreneve të thyer.
/rtsh.al/