Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: 23 vatra të raportuara në 24 orët e fundit, vetëm dy ende aktive

23 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit në vend, teksa vetëm 2 janë ende aktive. Shifrat u bënë me dije nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa njofton se flakët vijojnë të jenë aktive në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë dhe në bashkinë Dropull, në të cilat vijon puna për izolimin e zjarrit.
Sipas ministrisë, 464 efektivë zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e zjarrit, sëbashku me dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare.
Po ashtu në terren për shuarjen e flakëve ishin edhe një helikopter Cougar dhe 2 Canadair të ofruara nga Greqia.
/rtsh.al/