Zjarret në Himarë, Tavo: Janë nën kontroll të pjesshëm, po punohet për shuarjen në Sasaj, Lukovë dhe Shën Vasil

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Në bashkinë e Himarës, në njësinë administrative të Lukovës, po vijon puna për shuarjen e tri vatrave të zjarrit në fshatrat Sasaj, Shën Vasil dhe Lukovë.
Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo në një përditësim në lidhje me situatën e zjarreve në njësinë administrative Lukovë, tha se “aktualisht, po luftohet me një front mbi fshatin Sasaj, tre fronte aktive në Lukovë dhe një front në zonën e Shën Vasilit. Zjarret janë në kontroll të pjesshëm, ndërkohë strukturat në terren vijojnë luftën për neutralizimin e plotë të vatrave ekzistuese dhe për parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm”.
Tavo bëri edhe një pasqyrim të situatës një ditë më parë.
“Gjatë mbrëmjes së djeshme, rreth orës 19:00, mbi malin e Lukovës u shfaq një front i ri zjarri, i ardhur nga zona e Kalasës”, tha Tavo.
Sipas Tavos, për shkak të erës së fortë, flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë një territor të gjerë nga Sasaj në Lukovë, Shën Vasil e deri në Piqeras.
“Gjatë gjithë natës është luftuar intensivisht për vënien nën kontroll të zjarreve në këto zona, me përkushtim të lartë dhe bashkëpunim mes të gjitha strukturave të angazhuara”, theksoi Tavo.
Kryebashkiaku i Himarës tha se “efektivët e MZSH të Bashkisë Himarë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Sektori i Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, punuan në koordinim të plotë për të përballuar flakët, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të shmangur dëmet materiale në banesa e prona”.
“Fillimisht, strukturat u përqendruan në fshatin Sasaj, për të qenë pranë banorëve dhe për të garantuar ndihmë dhe evakuim në kohë. Rreth orës 21:00, në bashkëpunim me Policinë, u realizua evakuimi i banorëve drejt zonave më të sigurta. Rreth orës 22:00, u riaktivizua një zjarr masiv në Piqeras, ku u rrezikuan disa banesa – fatmirësisht, flakët prekën vetëm kopshtet e jashtme”, u shpreh Tavo.
Ndërkohë, Tavo nënvizoi se “edhe në Shën Vasil dhe Lukovë, u punua pa ndërprerje për të mbajtur zjarret larg zonave të banuara”.
“Në ndihmë të operacioneve në terren pati mbështetje me mjete nga Forcat e Armatosura, si dhe nga bashkitë Vlorë, Sarandë dhe Dropull”, tha Tavo.
Tavo u bëri thirrje banorëve të zonave përreth që të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo vatër të dyshimtë apo të re në numrat e emergjencës.
/m.q/r.e/