Zjarret në Mallakastër, zjarrfikësi përpiqet ta qetësojë fëmijën e trembur nga flakët

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Një moment prekës është regjistruar në fshatin Koilac të Mallakastrës, ku një zjarrfikës ka larguar nga zona e rrezikut një fëmijë, ndërsa flakët përparonin me shpejtësi.
Pamjet e ndara nga mediet tregojnë se, pas nxjerrjes së tij nga rreziku, zjarrfikësi i ka dhënë ujë fëmijës dhe është përpjekur ta qetësojë, duke e shpërqendruar nga situata e rëndë që po zhvillohej përreth.
Ndërkohë, zjarri vijon me intensitet të lartë në zonën e Koilacit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta dhe ullishte. Përhapja e flakëve po favorizohet nga era e fortë, ndërsa rreziku mbetet i lartë për afrimin e tyre drejt banesave.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave të zjarrit, evakuimin e banorëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse nga Fieri, Berati dhe Lushnja, duke përforcuar operacionin për përballimin e situatës.
Paralelisht me operacionin për shuarjen e flakëve, vijon evakuimi i banorëve nga zonat më të rrezikuara, ndërsa ekipet në terren po përpiqen të krijojnë një perimetër sigurie rreth banesave.
Era e fortë vijon të vështirësojë ndërhyrjen dhe të favorizojë përhapjen e flakëve. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e angazhuara në terren po punojnë pa ndërprerje për vendosjen e situatës nën kontroll dhe shmangien e rrezikut për banorët.
/e.xh/a.f/